Një anije shqiptare me 2700 tonë çimento e nisur nga Durrësi alarmoi autoritetet greke pasi dyshimeve që kishin se mund të trafikoheshin armë apo drogë.
Anija me çimento shqiptare do ta dërgonte ngarkesën në Tobruk të Libisë. Ka qenë një informacion i Inteligjencës së Francës, e cila ka informuar Inteligjencën greke se kishte dyshime që anija e nisur nga Shqipëria trafikonte armë apo dhe drogë. Inteligjenca greke ka vepruar menjëherë pas sinjalizimit që mori nga francezët.
Roja Bregdetare e Greqisë ndaloi anijen dhe shoqëroi në port për ta verifikuar, por deri tani nuk ka informacione që në anije të jetë gjetur ndonjë ngarkesë e dyshimtë.
Nuk dihet se çfarë e bëri Inteligjencën franceze të dyshonte që nga Shqipëria po trafikohet armë drejt vendeve të Lindjes së Mesme. Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë reagoi duke hedhur poshtë këtë lajm, të cilin e quajti abuziv dhe të pavërtetë.















