Kryeministri Rama ka shkuar të vizitojë të plagosurit e autobusit që mori flakë në Krujë, mesditën e sotme. Ai shoqërohet nga Ministri i Shëndetësisë.
Në repartin e djegieve të QSUT kanë mbërritur 9 nga të lënduarit dhe dyshohet se ka edhe një viktimë të dytë, por personeli spitalor ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht. Ndërkohë prifti që ndodhej në autobus ka rrëfyer atë që ka ndodhur.
Ai ka treguar se në autobus kishte 31 pasagjerë dhe ishin nisur nga Vlora. “Autobusin e gjetëm me një agjenci, emri i të cilës nuk më kujtohet” thotë ai.
“Ishim në rrugë e sipër kur nisi të futej tym, shoferi ndaloi autobusin dhe hapi kroskotin, pastaj pamë flakët. Nisëm të dilnim me shpejtësi, na ndihmuan njerëz që thyen xhamat, disa dolën nga dritarja, disa nga dera dhe të tjerë mbetën brenda”, tha ai.
Autobusi filloi të fuste tym brenda dhe në atë moment janë evakuuar të gjithë pasagjerët përveç gruas që mbeti e shkrumbuar brenda. Mësohet se pjesa më e madhe e pasagjerëve të autobusit janë të gjinisë femërore.















