Nëse ka pasur një gjë të sigurtë tek Gramoz Ruçi, ai ka qenë epiteti “burrë” që i vihej nga pas emrit të tij, sa herë përmendej në politikë. Ndër vite, këtë karakterizim, nuk ia kishin zhbërë dot, as kultura e mangët, as mbijetesa e gjatë, as e folura dialektore dhe as thashethemet se, në kohën e Berishës së parë, ishte larguar nga Shqipëria i veshur si grua për t’i shpëtuar qelisë së një regjimi të padrejtë.
Dhe ky mit nuk ishte ngritur kot. Gramoz Ruçi e kishte farkëtuar atë me qëndrimin stoik prej njeriu të paepur në procesin e 2 prillit në Shkodër. Atëherë, me një sallë që i ulërinte para fytyrës, me famijet e viktimave që ishin të gatshme ta shqyenin, ai kish dëshmuar në një sallë të verbër dhe hakmarrëse, pa iu dridhur qerpiku.
Ky mit u forcua edhe më tepër nga qëndrimi ekuidistant që Gramozi mbajti për një kohë të gjatë në konfliktet në PS. Ai mori aureolën e atij që të jepte fjalën dhe e mbante, që pavarsisht se përballë kujt gjendej e thoshte atë që mendonte, se qe njeri i qëndrmeve të forta dhe jo i lojrave të vogla meskine.
Kjo gjë ndodhi deri në perudhën kur Ilir Meta u bë për herë të parë kryeministër në PS (1999) dhe arriti ta shndërrojë moton e kësaj parite sipas parimit: “ajo që nuk fitohet me betejë, blihet me para”.
Dhe bashkë me të, Gramoz Ruçi, njeriu që nuk i ishte trembur histerisë së turmave antikomuniste, që nuk i ishte frikësuar kërcënimit me burg të Berishës, tregoi se nuk i rrezistoi dot tundimit të shitblerjes.
Në garën e vitit 2001, ai tradhëtoi ish miqtë e tij për të mbështetur Ilir Metën. Një vit më pas, ai e la në baltë këtë të fundit për t’u bërë paterica e Nanos, ndaj të cilit nuk kish lënë llaf pa thënë.
Kur edhe Nano ra, ai bëri sakrificën e fundit për Edi Ramën. Mori përsipër platformën Rama në kongres (2005) vetëm për t’i hapur rrugë (sipas parimit një pallat një votë do të thoshte më vonë Ilir Meta) zgjedhjes së Ramës në krye të PS.
Sot, një dekadë më pas, nuk ka mbetur më asgjë nga Gramozi i parë, lab dhe burrë. Në yryshin e kohës për t’u përshtatur me modën e re të rilindjes, ai është bërë po aq pa ngjyrë sa Veliaj, Tahiri apo Taulant Balla. Në qëndrimet e tij ai është krejtësisht i ngjashëm me ato çupëlinat mavi që përsërisin dokrrat e rilindjes përpara fasadës së xhamtë të PS-së.
Tani nuk ka mbledhje të grupit parlamentar që ai vazhdon të drejtojë, ku nuk duket hapur kompleksi që ka ndaj Ramës. Ku nuk shfaqet dukshëm dëshira për t’u mbyllur gojën atyre që duan të kritikojnë liderin. Ku nuk të ngjall krupën, zelli për t’i hequr fjalën atyre që duan të kritikojnë kryeministrin.
Një imazh simbol u shfaq dje në media ku Gramoz Ruç dukej teksa fshihte kokën, ndërkohë që Blushi dhe Balla debatonin në sallë lidhur me kërcënimin e Elvis Roshit.
Por edhe një ditë më pas, kur e ngriti kokën, Ruçi foli me gjuhën e një ish mjaftisti të mjerë. Ai tha se Blushi nuk qe kërcënuar dhe se ajo që bëri kryebashkiaku i Kavajës ishte një komunikim mes socialistësh.
Mjafton kjo fabul për të treguar se deri në ç’pikë e zhburrëroi rilindja ish shtyllën e PS. Me sa duket ai që nuk u dorëzua dot në betejat epike, ra më në fund pre e llogarive meskine. Drama e Gramoz Ruçit është ajo e atij që aspiron në pleqëri, të shndërrohet nga burrë në rilindas.















