Policia e qarkut të Elbasanit ka ndaluar mësuesen Mjaftoni Ago, 57 vjeçe, banuese në Cërrik , mësuese kujdestare në shkollën 9-Vjeçare “7 Marsi” e cila ka shpërdoruar detyrën duke nxitur nxënësit të ankohen në një media për problemet e mësuesve në shkollë.
Ndalimi i saj u bë nga efektivat e policisë, pas njoftimit të bërë në median vizive, në tv. News 24 si dhe pas kallëzimit të bërë nga shtetasi I.H, 50 vjeç, banues në Cërrik.
Duke qenë kujdestare në shkollën 9-vjeçare “7 Marsi” Cërrik dyshohet të ketë shpërdoruar detyrën duke nxitur nxënësit e klasës së pestë A që të shkonin për t’u ankuar pranë studios së News 24 për problemet me mësuesit e kësaj shkolle.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Ago, gjatë marrjes në pyetje nga policia, tha: “I gjeta nxënësit duke qarë dhe njoftova drejtoreshën. Drejtoresha tha se do të kujdeset vetë për fëmijët. Më pas, fëmijët kishin vendosur vetë për të shkuar në televizion. Gabim që nuk i shoqërova”, është shprehur ajo.
Dje, 5 fëmijë të klasës së pestë nga kjo shkollë denoncuan në një emision në News 24, dhunën që sipas tyre, mësuesja Fatbardha Shabani ka ushtruar ndaj tyre.
Ndërsa, Mjaftoni Ago është kujdestarja e klasës, për të cilën nxënësit thanë se drejtoresha kërkon ta largojë nga puna dhe ata janë shprehur kundër këtij vendimi.
Gjithashtu, nxënësit thanë se Ago ishte ajo që u pagoi biletën e taksisë për të shkuar nga Cërriku në Tiranë. Për këtë, mësuesja tha në polici se duhet t’i shoqëronte vetë në emision.















