Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vijon vizitën zyrtare në SHBA. Meta është pritur nga ndihmësasistenti i Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-ve për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Bruce Swartz.
Gjatë takimit, Meta rikonfirmoi angazhimin për miratimin sa më të shpejtë të paketës kushtetuese për reformën në sistemin e drejtësisë.
“Kjo reformë e thellë do të shërbejë për rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të sistemit të drejtësisë, rritjen e besimit të publikut si dhe përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Ne jemi të vendosur, ta çojmë përpara këtë reformë edhe me plotësimin e akteve të tjera ligjore, si një domosdoshmëri për të luftuar me efikasitet korrupsionin, krimin e organizuar dhe për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri”, tha kryeparlamentari Meta.
Meta ka theksuar se rëndësi të veçantë ka rritja e kapaciteteve të hetimit të pavarur dhe profesional. Kreu i Kuvendit u shpreh se për ngritjen e institucioneve të reja që parashikohen nga paketa kushtetuese, përfshirë këtu edhe Byronë Kombëtare të Hetimit, ndihma dhe asistenca e SHBA-ve për monitorimin e zbatimit të saj është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Ndërsa Swartz theksoi dhe njëherë rëndësinë e veçantë që SHBA-të i kushtojnë miratimit të reformës në drejtësi dhe theksoi se Departamenti i Drejtësisë dhe misionet e asistencës, OPDAT dhe ICITAP, do të vazhdojnë të kontribuojnë dhe të mbështesin forcimin e agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri./ G.S. /















