Bojkoti që Sali Berisha i ka bërë pranisë së ambasadorëve në mbledhjen e grupit të PD-së nuk ka qenë as i rastësishëm as i pamenduar, as ashtu siç u mundua ta paraqesë zëdhësja e tij si diçka rutinë. Ai ka qenë një sinjal i pastër mes një linje në PD, kryesisht të përfaqësuar nga Basha që do ti mbajë me çdo kusht mira marëdhëniet me diplomatët kryesorë të perëndimit dhe një linje tjetër të përfaqësuar nga ish kryeministri i cili ka tezën: ambasadorëve i duhet qëndruar përballë kur nuk bie dakord me ta.
Dhe duke dashur as mos i kundërvihet linjës zyrtare të Bashës dhe as parimeve të tij të farkëtuara prej çerek shekulli, Berisha vendosi të bojkotojë mbledhjen.
Por duke bërë këtë akt ai nënvizoi edhe njëherë se ai është kundër ndërhyrjes brutale të diplomatëve të huaj në vendimet sovrane të partisë së tij. Ai tregoi se PD nuk mund të bjerë pre e mendësisë “ose mere ose lërë” për reformën e servirur nga ShBA dhe BE.
Dhe duket se kjo linjë e Berishës nuk kaloi pa sukses. Jozefiana Topalli dha gjithashtu një sinjal se ajo është pro saj. Deputetët të tjerë në PD theksuan se imponimi është i papranueshëm dhe se të tilla mbledhje butaforike nuk shërbejnë për asgjë.















