Presidenti i vendit Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim një tjetër ligj të miratuar nga mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë.
Bëhet fjalë “Për Marrëveshjet Ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, që sipas kreut të shtetit bie ndesh me Kushtetutën. Ligji në fjalë është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më datën 21 prill 2016 dhe është paraqitur për shpallje një javë më vonë.
Këshilli i Ministrave në Relacionin e projektligjit në fjalë ka vlerësuar se përmes Ligjit të ri “Për Marrëveshjet Ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” përcaktohen rregulla dhe procedura për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, dy ose shumë palëshe në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që ligji në fuqi nr. 8371, datë 9.07.1998 “ Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare” nuk arrinte të përmbushte kërkesat e përcaktuara në Kushtetutë dhe në Konventën e Vjenës./shekulli/
















