Në vetëm dy vjet qeveria e Shqipërisë ka marrë plot 1 miliardë euro borxh nga jashtë, duke vendosur një rekord të paprecedentë në historinë e financave të vendit. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se si rezultat i kësaj huamarrje agresive, borxhi i jashtëm publik i Shqipërisë kërceu nga 2.6 miliardë euro që ishte në fund të vitit 2013 në 3.6 miliardë euro në fund të tremujorit të parë të këtij viti.
Shtesa prej 1 miliardë eurosh është e barabartë me rreth 10 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.
Menjëherë sapo erdhi në pushtet, qeveria e majtë e orientoi huamarrjen në tregun e jashtëm, një strategji që sipas saj do furnizonte ekonominë me valutë dhe do lejonte që likuiditeti i tregut të brendshëm të përdorej nga biznesi.
Por kjo strategji ka qenë e dyshimtë. Biznesi vijon të mos marrë kredi nga bankat, pavarësisht likuiditetit të bollshëm në to, ndërsa rritja e borxhit të jashtëm të qeverisë ka krijuar të tjera rreziqe.
Banka e Shqipërisë paralajmëroi pak javë më parë se disa nga treguesit që masin cilësinë e financave publike janë përkeqësuar me ritme të shpejta.
Sipas saj, nëse në vitin 2011 qeveria shpenzonte vetëm 1 për qind të Prodhimit Kombëtar për të shlyer interesat dhe principalin e maturar të borxhit të jashtëm, vitin e kaluar shifra u dyfishua, çka do të thotë se buxheti paguan tani rreth 200 milionë dollarë në vit për të shërbyer borxhin e jashtëm.
Borxhi total
Në total borxhi publik i Shqipërisë ka arritur në 1 trilionë e 60 miliardë lekë ose afro 7.6 miliardë lekë. Nga këto 3.6 miliardë euro janë borxh i marrë nga jashtë dhe pjesa tjetër prej afro 4 miliardë eurosh janë borxh i marrë në tregun e brendshëm.
I shprehur si raport ndaj Prodhimit Kombëtar borxhi publik i Shqipërisë ishte në fund të tremujorit të parë 69.3 për qind.
Nga ardhja në pushtet në shtator të vitit 2013, qeveria e majtë ka marrë në total 208 miliardë lekë borxh ose 1.5 miliardë euro, prej të cilave 1 miliardë euro janë marrë në tregun e jashtëm ndërsa 500 milionë borxh nga bankat vendase.
















