Këtë të hënë Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat në bashkëpunim me forcat e policisë të Komisariatit Kuçovë arrestoi Ismet Kumria, 50 vjeç dhe Artur Polovina, 43 vjeç, të dy banues në Kuçovë.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë tentuar të vjedhin me një automatik banesën e shtetasit F.Sh, 58 vjeç në Kuçovë.
Në momentin kur autorët kanë hyrë në oborrin e banesës ata janë pikasur nga i zoti i shtëpisë dhe djali i tij shtetasi A.Sh. Mes tyre ka nisur një përleshje. Në këto momente një nga autorët, Ismet Kumria ka qëlluar me armë dhe si pasojë është dëmtuar lehtë pronari i shtëpisë. Ai po merr ndihmën mjekësore në spitalin e Beratit jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë që kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të dy autorëve.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Artur Polovina u konstatua se në serën në pronësi të tij iu gjetën të kultivuara 207 rrënjë bimë narkotike Canabis Sativa me një lartësi 120-160 cm të larta.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:
• 1 armë automatik kallashnikov
• 2 maska, 2 palë dorashka
• 1 varëse floriri
• 2 krehra me fishekë
Në ndjekje penale në gjendje të lirë do të ndiqet edhe djali 23-vjeçar i të zotit të shtëpisë për plagosje e rëndë me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.















