Juliani ka qenë personazhi i radhës në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në programin “E diela shqiptare”, i cili i ka thënë publikisht të fejuarës së tij, se ka qenë i martuar jo njëherë siç e dinte ajo, por dy herë dhe nga martesa e dytë, ka edhe një fëmijë tjetër, përveç atij që ajo di.
Teksa i ka nxjerrë unazën për t’i propozuar, djali nga Korça, me ndihmën e moderatorit Ardit Gjebrea, i ka rrëfyer Sadetes gjysmën e patreguar të historisë së tij.
E fejuara e tij, e cila mesa dukej ishte përgatitur vetëm për një propozim, ka mbetur e shtangur nga historia që dëgjoi.
Megjithatë, ajo e ka falur Julianin, i cili i ka shprehur publikisht dashurinë dhe vlerësimin që kishte për të.
“Unë e kam falur për faktin që ma ka mbajtur të fshehtë,” ka thënë Sadetja, duke shpjeguar se mënyra sesi kishin rrjedhur ngjarjet nuk ishte faji i tij.
Përpara se ajo të vinte në studio, Juliani ka rrëfyer se duke qenë i tronditur nga historia e martesës me gruan e dytë, e cila e tradhtonte me pesë meshkuj të tjerë dhe e kishte kërcënuar disa herë, nuk kishte pasur guximin t’ia tregonte atë Sadetes, e madje as fëmijën që ai kishte me të.
“Shpesh ngrinte dorën për të më qëlluar, provonte të më qëllonte me thikë dhe unë ia hiqja nga dora duke e hedhur metra tutje. Hoqa thikat e mëdha nga shtëpia dhe mbajta vetëm thika të vogla fare për bukë”, ka thënë i riu. /Anabel/
















