Sejdi Thaçi, rreth 80 vjeç, nga komuna e Klinës, është kthyer nga Serbia në Kosovë pas 17 vjetësh. Ai konsiderohej person i zhdukur i luftës së fundit dhe emri i tij ishte në listën e personave të pagjetur të luftës.
Kthimin e tij e kanë konfirmuar udhëheqës të Komisionit qeveritar për personat e pagjetur.
Prenk Gjetaj, drejtues i këtij komisioni, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se më datë 18 prill, Thaçi është kthyer në shtëpi, por gjendja e tij shëndetësore ishte raportuar si jo e mirë.
Gjetaj, duke u bazuar në deklaratat e familjarëve, thotë se i kthyeri nuk di të tregojë se ku ka qëndruar në Serbi gjatë kësaj periudhe.
“Nuk di të tregojë se ku ka qenë dhe ku ka qëndruar. Ka treguar vetëm se ka ardhur nga Mitrovica, me një taksi, deri në fshatin ku ka jetuar”, ka thënë Gjetaj.
Emri i Sejdi Thaçit gjendet në listën e personave të zhdukur të Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, pasi vëllai i tij e ka paraqitur atë si të zhdukur gjatë luftës.
Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tregon se Sejdi Thaqi, në janar të vitit 1999 është ndarë nga vëllai i tij, në qytetin e Pejës dhe që atëherë nuk ka pasur kontakte me familjarë.
“Deri më tani nuk ka pasur informacione se a ka qenë i arrestuar apo i vrarë, por në burgjet e Serbisë, Thaqi nuk ka qenë”, ka deklaruar Blakaj për Radion Evropa e Lirë.
Sejdi Thaqi, i cili ka qenë i pamartuar, në vitet 90-të ka jetuar dhe punuar në Serbi.
“Diku gjatë verës në vitin 1999 e tutje, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka pasur qasje në të gjitha burgjet e Serbisë. I ka evidentuar të gjithë shqiptarët që kanë qenë në ato burgje. Në vitin 2002-2003 ka qenë një proces amnistie dhe të gjithë ata janë liruar, përpos disave që kanë qenë për vepra ordinere, do të thotë që nuk kanë qenë të arrestuar në lidhje më luftën”, ka theksuar Blakaj.
Rasti i kthimit të tij në shtëpi pas 17 vjetësh ka nxitur reagime dhe ka skaktuar huti e dilema në Kosovë.
Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur në Kosovë, kërkon nga familjet e personave të pagjetur që këtë rast ta marrin me rezerva, derisa të verifikohet nëse Thaçi ka qenë i burgosur apo ka qëndruar në ndonjë kamp.
Aktualisht, Kosova i ka edhe 1.666 persona të pagjetur që prej luftës.















