EULEX dhe Policia e Kosovës kanë nisur të mërkurën njërin nga aksione më të mëdha të zhvilluara që nga ardhja e misionit të BE-së në Kosovë.
Aksioni, i cili për cak ka edhe deputetin e Kuvendit të Kosovës dhe ish komandantin të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Sylën, ka nisur qysh herët në mëngjes dhe është duke u zhvilluar në disa zona të Kosovës.
KALLXO.com raporton se EULEX ka trokitur në derën e shtëpisë ku banon Azem Syla, në fshatin Kishnarekë të Drenasit, por për shkak se ai nuk ndodhej në shtëpi i ka lënë një ftesë për t’u paraqitur dhe për t’u intervistuar.
Shtëpia e tij është bastisur nga njësitet e policisë.
Aksioni i bastisjeve është zgjeruar edhe në lagjen Pejton të Prishtinës, ku është bastisur shtëpia Arton V., një ish shofer i PDK-së.
Burime nga EULEX bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një rast në të cilin janë 51 të dyshuar ndërsa do të bastisen 42 lokacione në vende të ndryshme të Kosovës.
Hetimet ndaj Sylës e të tjerëve kanë të bëjnë me dyshimet se ai është pjesë e grupit kriminal i cili tjetërsoi prona shoqërore në zonat kadastrale përreth Veternikut dhe Çagllavicës.
Gazeta “Zëri” raporton se Syla dhe pjesëtarët tjerë të grupit dyshohen për biznese me toka shoqërore që i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës rreth 30 milionë euro.
Lajmin për aksionin policor e ka konfirmuar zëdhënësja e EULEX-it në Prishtinë, Dragana Nikolic-Solomon. Ajo ka konfirmuar se aksioni është duke vazhduar, por, për momentin, nuk mund të japë detaje të tjera . (r.m.)
















