Policia e Tiranës arrestoi të hënën një person dhe shpalli në kërkim dy të tjerë me akuzën për mashtrim.
Burime zyrtare nga blutë e kryeqytetit bënë me dije se në pranga ra 25-vjeçari Klevis Rreshka, banues në Tiranë, ndërsa në kërkim janë shpallur shtetaset Lutfie Luli Makashi, 51 vjeçe dhe Adeila Makashi, 28 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë.
Sipas policisë, në bashkëpunim mes tyre, personat e mësipërm kanë mashtruar një numër të konsiderueshëm shtetasish duke u premtuar dokumente punësimi dhe studimi për në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Australi, Angli etj., duke u marrë shuma të konsiderueshme monetare rreth 27 personave nga qytete të ndryshme të vendit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Mashtrim”, parashikuar nga Neni 143/2 i Kodit Penal.
Sipas policisë, në grackën e mashtrimit kanë rënë të paktën 27 persona nga qytete të ndryshme të vendit, ndërsa letrat kushtonin nga 18-20 mijë euro. Luli Makashi është drejtoreshë ekzekutive e agjencisë private të punësimit dhe ndërmjetësimit “Ande-LM” që ga viti 2005, me aktivitet në qendër të ish-“Bllokut”. Sipas policisë, ajo rezulton të jetë larguar një ditë më parë në drejtim të Italisë së bashku me vajzën, pas presionit të qytetarëve për t’ua kthyer paratë ose për t’i dërguar drejt Kanadasë apo Australisë.
Skemë piramidale
Policia e kryeqytetit u vu në lëvizje pas denoncimeve të marra nga rreth 30 persona që kishin rënë viktimë e “Ande-LM”, kompani e cila prej vitesh u ofronte shqiptarëve punësim dhe studim jashtë vendit në këmbim të shumave monetare. Ajo përdorte një skemë të ngjashme me firmat piramidale: me premtimin për kontrata pune jashtë vendit, qindra shqiptarë janë gënjyer nga agjencia e cila ka përfituar shuma të majme parash përgjatë viteve. Pasi kanë kaluar më shumë se dy vjet që nga koha e aplikimit dhe e kryerjes së pagesës, ata nuk kanë marrë atë që prisnin./Shekulli/















