Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Nazif Cungu kryetarin e Ulqinit, gjithashtu edhe kryetar i partisë kryesore të shqiptarëve në Mal të Zi, Forca e Re Demokratike.
Presidenti Thaçi e siguroi kryetarin e Ulqinit se shqiptarët e Malit të Zi do të kenë vazhdimisht mbështetjen e tij personale dhe të Republikës së Kosovës, duke e uruar atë për rimarrjen e detyrës së kryetarit të komunës, si dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO të Malit të Zi.
“Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi gjithnjë e më shumë janë duke u përmirësuar dhe popullsia shqiptare në Mal të Zi është një urë e rëndësishme komunikimi dhe lidhjeje mes dy shteteve”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ndërsa, kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu, pasi uroi presidentin Thaçi për marrjen e detyrës së re, mirëpriti qetësimin e situatës politike në Kosovë. “Kur Kosova është qetë, edhe shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në shtetet e tjera qetësohen, mirëpo kur Kosova është e tensionuar, ata ndihen shumëfish të shqetësuar”, tha kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu.
Kryetari i Ulqinit e njoftoi presidentin Thaçi edhe për gjendjen sociale dhe ekonomike të komunitetit shqiptar dhe për zhvillimet e fundit politike në Mal të Zi.
Presidenti Thaçi e siguroi kryetarin e Ulqinit, se do ta trajtojë këtë çështje me vëmendje dhe do ta diskutojë me përfaqësuesit e vendeve fqinje,sapo të takohet me ta.
Gjithashtu, presidenti Thaçi e njoftoi kryetarin e komunës së Ulqinit, që në të ardhmen e afërt do të ketë vizitë zyrtare në Mal të Zi dhe si qytetar nderi i Ulqinit, padyshim që do të vizitojë sërish edhe Ulqinin.















