Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në prezantimin e projektit të “Arenës Kombëtare” cilësoi ndërtimin e “Arenës Kombëtare” si plotësimin e ëndrrës së madhe të shumë shqiptarëve që e duan sportin.
“Arena Kombëtare është realizmi i ëndrrës më të madhe të Dritan Shakohoxhës. Kam parasysh jo Shakon si person por të gjithë sportdashësit dhe gjithë shqiptarët. Ekipi ynë kombëtar sot ofron një imazh të mrekullueshëm të kombit tonë dhe një shëmbëlltyrë rrezatuese të unitetit kombëtar të vlerave më të mira të popullit tonë,” tha ai.
Nga ana tjetër futbolli sipas kreut të qeverisë është shumë më tepër se një sport dhe jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, ”futbolli është një nga industritë më të mëdha të zhvillimit, por dhe nga pikëpamja sociale dhe kulturore për të përcjellë modele, frymëzuar gjenerata dhe hapur perspektiva. Duke i nxitur ata që besojnë se asgjë nuk është e pamundur. Në BE sporti kontribuon me 2% të PBB të 28 vendeve të unionit dhe gjeneron 307 miliardë euro çdo vit. Është e provuar që sporti dhe investimet në sport nuk janë vetëm investime për ata që zbresin në fushën e garës apo ata që ndjekin garën, po investime që afrojnë nxisin dhe bashkojnë njerëzit me aktivitetin sportiv. Cka ka nxjerrë në përfundimin se 1 euro investuar në sport është 3.7 euro e kursyer në Shëndetësi” vazhdon ai më tej fjalën e tij.
Në stadiumin e ri, Rama tha se do të bëhet e mundur që të luhet edhe një finale e Super Kupës së Europës, ndërsa ka pasur edhe një përgjigje për ata që e kanë kritikuar projektin më të madh kombëtar në futboll.
“Ka shumë njerëz sot që janë entuziastë që më në fund Shqipëria do ketë një stadium të standardeve më të larta. Ku të luajë jo vetëm kombëtarja por edhe një finale e super kupës në Europë. Dhe do ia dalim edhe me këtë duke pasur një nga stadiumet më të bukur në Europë. Ka dhe njerëz që thonë ç’na duhet stadiumi se ne s’kemi bukë. Në fakt stadiumet sjellin edhe bukë. Investimi në sport, kulturë dhe në hapësira për aktivitet fizik është investim i drejtpërdrejtë në ekonomi. Mjafton të shikoni impaktin në ekonominë lokale në Elbasan dhe në Shkodër. Të jeni të sigurt që stadiumi i ri, Arena Kombëtare do ketë influencë të rëndësishme në ekonominë e qytetit. Do jetë një qendër e rëndësishme e jetës së kryeqytetit,” u shpreh Rama.
Më tej kryeministri shtoi se nëse qeveria nuk do të kishte investuar për ndërtimin e “Elbasan Arena”, atëherë Shqipëria do te të humbte të drejtën të zhvillonte ndeshjet e kualifikimit evropian brenda vendit dhe ky sipas Ramws do tw ishte njw turp pwr Shqipërinë. “Arena Kombëtare” do të jetë shtëpia e tretë e Kombëtares Shqiptare, por më e madhja dhe kryesorja,” përfundoi Rama.
















