Shkodër, mjekoligjorët përcaktojnë shkakun: 39-vjeçarja u shtrëngua në qafë
Kur kanë kaluar 24 orë pas ngjarjes së rëndë, ku shtetasja Suela Sula u gjet e pajetë në tualetin e mobilierisë ku ishte bashkëpronare, Policia e Shkodrës ka arritur të zbulojë shkaqet e vdekjes së 39-vjeçares. Sipas policisë, ajo është mbytur me duar nga bashkëshorti i saj, Sadetin Sula, 47 vjeç, i arrestuar tashmë nga uniformat blu me akuzën “vrasje, për shkak të marrëdhënieve familjare”. Nga hetimet paraprake, ende nuk është përcaktuar motivi që e çoi 47-vjeçarin drejt kësaj ngjarjeje të rëndë, porse deri më tani dyshimet për të kanë lindur falë kontradiktave që ai shfaqi në lidhje me vdekjen e gruas. Policia dyshon se ai e ka mbytur të shoqen në një tjetër ambient të mobilierisë dhe më pas e ka zhvendosur trupin e saj të pajetë në banjë. Nga ana tjetër, ditën e djeshme ai është marrë sërish në pyetje dhe deklarimet e tij do të jenë përcaktuese për sa i përket zbardhjes së rrethanave të ngjarjes. Në pyetje janë marrë edhe familjarët e tjerë të çiftit, të cilët kanë treguar rreth marrëdhënieve të tyre gjatë kohëve të fundit. Policia ka administruar edhe dëshminë e punonjësve të mobilierisë, të cilët denoncuan sapo panë trupin e pajetë të 39-vjeçares. Nga ana tjetër, në Fier u arrestua një 55-vjeçar, pasi u denoncua për dhunë nga e shoqja.
Ekspertiza përcaktuese
Ka qenë ekspertiza mjekoligjore që është kryer në morgun e spitalit rajonal të Shkodrës, ajo që hodhi poshtë dyshimet se 39-vjeçarja i kishte dhënë fund jetës. Në trupin e saj janë konstatuar shenja dhune, në buzë, sy dhe në pjesën e qafës, kur është shtrënguar me duar nga bashkëshorti, deri në momentin që ajo ka dhënë shpirt. Madje burime nga grupi hetimor dyshojnë se viktima është mbytur në një tjetër hapësirë të mobilierisë dhe më pas është futur në tualet, duke u munduar që ngjarja të dukej si vetëvrasje. Dyshime të forta tek efektivët e policisë se autor i vrasjes mund të jetë bashkëshorti, kanë qenë edhe deklaratat e tij kontradiktore në momentin kur është marrë në pyetje në komisariatin e policisë. Të njëjtat burime bëjnë me dije se ai nuk ka arritur të rrëfejë të njëjtën dëshmi përpara oficerëve të policisë. Ngjarja e rëndë që i mori jetën 39-vjeçares ndodhi rreth orës 12:45 të ditës së hënë, në Melgushë pranë aksit Shkodër-Lezhë, aty ku ndodhet edhe mobilieria që ishte në pronësi të çiftit Sula. Kanë qenë punëtorët e mobilierisë që gjetën të pajetë 39-vjeçaren, e ku më pas njoftuan edhe policinë. Për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së Suela Sulës mbërriti edhe një grup ekspertize nga Tirana, ndërsa në pyetje u morën familjarë të çiftit dhe punëtorët. Dyshohet se çifti kohët e fundit të ketë pasur konflikte, ndërsa ishin prindër të tre fëmijëve adoleshentë.
Njoftimi i policisë
Në njoftimin e saj, Policia e Shkodrës bën me dije se “nga ana e specialistëve të seksionit për hetimin e krimeve ndaj personit, u bë ndalimi i shtetasit Sadetin Sula, 47 vjeç, banues në Shkodër. Ndalimi i tij u bë pasi nga veprimet e para hetimore të kryera në lidhje me rrethanat e vdekjes së shtetases me iniciale S.S. (bashkëshortja e tij), e cila u gjet e pajetë në tualetin e mobilieri “Europa”, dyshohet se viktima është vrarë (mbytur me duar) nga bashkëshorti i saj. Materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Prangat në Fier
Një 55-vjeçar është arrestuar dje nga Policia e Fierit, pasi është denoncuar nga bashkëshortja e tij 49 vjeçe për dhunë të përsëritur. Burime zyrtare bëjnë me dije se në pranga është vënë 55-vjeçari Koli Petushi, banues në fshatin Libofshë të Fierit. Ka qenë bashkëshortja e të arrestuarit, O.Petushi, që ka bërë denoncimin në polici, duke thënë se është dhunuar fizikisht nga 55-vjeçari. Gjithashtu, ajo është shprehur se ky është një veprim që i shoqi e ka bërë në mënyrë të përsëritur, bëjnë me dije burime zyrtare nga policia. Materialet në ngarkim të 55-vjeçarit i kaluan prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “dhunë në familje”.shqip















