Mr. Safet Hasani, historian dhe publicist shqiptar nga Vushtrria, botoi librin “Qyteti Tragjik: Krimet serbe në qytetin e Vushtrrisë 1998-1999”. Me këtë libër, autori Safet Hasani ka arritur t’i bëjë të njohura disa nga ngjarjet më dramatike të ndodhura në qytetin e Vushtrrisë në periudhën e luftës në Kosovë. Libri “Qyteti Tragjik: Krimet serbe në qytetin e Vushtrrisë 1998-1999”, është vepër e cila paraqet krimet, vrasjet, masakrat, dhunimet, torturat që ushtruan forcat serbe mbi popullatën shqiptare në qytetin e Vushtrrisë. Për vite me radhë, historiani Hasani ka grumbulluar dëshmi dhe ka zhvilluar intervista të drejtpërdrejta me të përjetuarit e masakrave në qytetin e Vushtrrisë dhe rrethinë. Të përjetuarit e atyre ngjarjeve tmerruese që ushtroj shteti serb mbi popullatë shqiptare. Dëshmitarët rrëfejnë për mizoritë e masakrave dhe të torturave makabre që ushtruan forcat serbe ndaj civilëve shqiptar, siç janë: masakra e Studimes, asgjësimi i familjes Gerxhaliu, vrasja masive ne qytetin e Vushtrrisë, kidnapimi i të rinjve dhe humbja dhe djegia e kufomave, ekzekutimi i fëmijëve, dhunimet, etj. Libri është hartuar me një pendë tërheqëse dhe profesionale, e kuptueshme për të gjithë, me një paraqitje reale, mbështetur në dëshmitë e dokumentuara të atyre që nga afër i përjetuan këto raste të tmerrshme. “Qyteti Tragjik: Krimet serbe në qytetin e Vushtrrisë 1998-1999”, është dëshmi e gjallë, libër i dhimbjes që u shkrua në bazë të dëshmive dhe fakteve, për t’i treguar botës të vërtetën se çfarë ka ndodhur në Kosovë, gjegjësisht në komunën e Vushtrrisë.
Mr. Safet Hasani, për vite të tëra hulumtoj dhe shkroi shumë artikuj lidhur me krimet serbe në revistat ndryshme, duke treguar egërsinë serbe të ushtruar mbi popullatë civile shqiptare gjatë dekadave të fundit, posaçërisht viteve 1997-99 ndaj shqiptarëve në Kosovë. Autori librin e ndan në katër kapituj duke e ndjekur rendin kronologjik të ngjarjeve. E fillon me ngjarjet e viteve 90-ta të pushtimit të Institucioneve të Kosovës nga Republika e Serbisë, paraqitja e forcave ushtarake dhe paraushtarake serbe në Kosovë, Intervenimi i NATO-s, të gjitha krimet të kryera nga njësitë ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe dhe e përfundon me tërheqjen e forcave serbe nga Kosova në qershor 1999 që shënon fundin e pushtimit serb në Kosovë dhe çlirimin e vendit. Autori në mënyrë të detajuar argumenton se pushtuesi serb kishte organizuar vrasje sistematike mirë të organizuara.
Unë pata nderin ta bëja një recension këtij libri. Ndër tjera unë shprehem se “ky libër iu vjen në ndihmë, historianëve, juristëve, gazetarëve, dhe të gjithë atyre vrasjeve, masakrimeve, përdhunimeve, burgosjeve, rrahjeve, maltretimeve, plaçkitjeve nga forcat ushtarake dhe policore serbe në qytetin e Vushtrrisë. Ky libër është edhe një udhërrëfyes për tu ndjekur nga të gjithë ata dashamirë të pendës, që përmes shkrimeve dhe botimeve si ky ta vënë realitetin në vend. Pra, përmes këtij libri dhe botimeve tjera t’i tregojmë opinionit ndërkombëtar fytyrën e egër të shtetit serb, gjegjësisht gjakpirësit të shqiptarëve.
Do ishte një mrekulli, sikur do kishte dashamirë të librit, dhe të ketë mundësi këtë punim të përkthehej edhe në gjuhë të huaja, angleze, gjermane, franceze, etj., që do të vë në pah një pjesë të së vërtetës së hidhur të ndodhur në Kosovë.
Dr. Blerta Kryeziu


















