Petrit Kuçana
Këmisha e atdheut ishte shumë e ngushtë për ëndrrat e tyre.
Ishte më shumë se një ngadhënjim, gjetja e asaj udhës së ëndërrt, e udhës që rrallëherë shquhej edhe pas përpjekjesh titanike, kur ikja ishte më shumë se guxim. Ishin udhëtarë që u gjenden në kohën e pakohë, kur ishte thuajse e pamundur të shquhej agimi i netëve të pështjelluara, kur qenësisht përjetonin fijen e hollë të ekuilibrit mes jetës dhe vdekjes. Në “trastat” e tyre kishin mundur të palosin shpresat e ëndërrta, të përthyera pabesisht në skajet kur Atdheu merrte tjetër kuptim. Ishin ato ëndrra që për shumë udhëtarë mbetën aty, të baltëzuara në pranverën e kurrë-mos-ardhur e qëndrojnë si kujtim i largët, i dhimbshëm; diku në bankat e një shkolle, diku në një tjetër hapësirë që i përkiste, thjesht të shkuarës përcëlluese.
Ishte shpresa, që ngrohu këta udhëtarë që u gjendën në ishullin britanik, (krejtësisht të panjohur prej shumë prej tyre), që bashkë me “këmishën e Atdheut” që u rrinte ngushtë, filluan të besojnë se ka edhe një ëndërr britanike dhe mbase ishte çmenduri ta mendonin dikur, e ndoshta as që mund ta kishin besuar tek kalonin stacionet e udhëtimit drejt Britanisë.
Pezmi i “braktisjes” së shumë ëndrrave të ngjizura në atdhe, i përndjek shumë prej tyre edhe në ditët e sotme, kur çuditshëm ndjehen të huaj në çdo rikthim, aty ku u nisën për të qenë krejt të tjerë, krejt ndryshe, ashtu të suksesshëm, frymëzues padyshim.
Ngadhënjyen mbi të panjohurën, mbi pranverën ndryshe të Britanisë. Ishte koha kur zanafilla do të kishte tjetër kuptim, duke ruajtur thellë brenda vetes shumëçka nga mëmëdheu, kryesisht vlera të farkëtuara mundimshëm në fëmijërinë e tyre, apo ashtu mbartës të natyrshëm të tyre, duke u shndërruar në personazhe sa të panjohur, aq të pabesueshëm me historitë e tyre. Është suksesi që i bashkon këta mërgimtarë, që janë shndërruar në ambasadorët më të shkëlqyer të vlerave shqiptare në këtë ishull dhe jo vetëm .
Ata nuk u pajtuam me stepjen, por shfrytëzuan hapësirat dhe mundësitë për realizimin e tyre vetetësor, që nga pedagogët që japin leksione në universitetet britanike, e deri tek artistët, sipërmarrësit dhe të tjerë, që përçmuan përçudnimin dhe gjetën orientimin drejt suksesit, e “këmishën e atdheut” e rimodeluan, për ta mbajtur gjithmonë me vete, në skajet e paarritshme, jo vetëm nga “udhë-humbësit”.















