Gjykata e Krimeve të Rënda liron 23-vjeçarin e dyshuar për vrasjen e babait dhe lë në qeli dajën e tij Leonard Ristani. Dëshmitarët tregojnë se Artur Kurti ka shkuar me thikë në banesën e bashkëshortes së tij me të cilën ishte në proces divorci dhe ka qëlluar kunatin e tij. Ristani i ka marrë thikën dhe e ka qëlluar në gjoks, duke lënë të vdekur kunatin dhe më pas është dërguar në spital nga nipi Jurgen Kurti.
Gjykata e Krimeve të Rënda liroi biznesmenin 23-vjeçar Jurgen Kurti, i dyshuar si bashkëpuntor në vrasjen e babait të tij, ngjarje e ndodhur më 4 prill në Tiranë.
Prokuroria kërkoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg me afat 30 ditë”, por gjykata caktoi “arrest shtëpie”, pasi nga hetimet e para nuk rezulton që ai të ketë lidhje me vrasjen e babait.
I dyshuari kryesor për vrasjen e Artur Kurtit është kunati i tij Leonard Ristani, i cili do të qëndrojë në qeli për akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare.
Prokuroria e Krimeve tëRënda nëpërmjet provave dhe dëshmive ka mundur të zbardhë dinamikën e krimit që ka ndodhur në korridorin e pallatit ku banonte bashkëshortja dhe djali i viktimës.
Ngjarja ka ndodhir më datë 4.4.2016, rreth orës 21:30 më rrugën “Zef Jubani” në Tiranë, ku është gjetur i vdekur shtetasi Artur Kurti.
Pas kësaj ngjarjeje është paraqitur në Spitalin e Traumës shtetasi Leonard Ristani, i cili ka patur dëmtime me thikë.
Sipas prokurorisë, në apartamentin ku kishte ndodhur ngjarja banonin shtetasja Sh. Kurti dhe djali i saj Jurgen.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rreth një metër para derës së hyrjes për në këtë banesë, në korridorin e përbashkët është gjendur i shtrirë me fytyrë nga dyshemeja kufoma e shtetasit Artur Kurti.
Në brendësi te banesës, mbi sipërfaqen e dyshemesë së saj, janë gjetur njolla me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut.
Në vijim të këqyrjes, ndërmjet sheshpushimit të katit V dhe sheshpushimit të katit IV është gjetur dhe sekuestruar një thikë me bisht me ngjyrë të kuqe me gjatësi rreth 29 cm, e cila në sipërfaqen e saj kishte mbetje me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut.
Gjatë këqyrjes së kufomës së shetasit Artur Kurti, është konstatuar një plagë në gjoks dhe një plagë në fytyrë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur shtetaset Sh. Kurti (bashëshortja e viktimës) dhe shtetasja L. P. (komshija i tyre).
Ndërsa shtetasi Jurgen Kurti ishte në spital, pasi ka shoqëruar dajën e tij Leonard Ristani, i cili ishte plagosur në ngjarje.
Është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime shtetasi Leonard Ristani, i cili shpjegon se motra e tij Sh. Kurti, pas një bashkëjetese shumëvjeçare me bashkëshrtin e saj Artur Kurti, kishte mbi katër muaj që kishin vendosur të ndaheshin për problem të ndryshme dhe motra e tij së bashku me djalin ishin larguar nga banesa ku kishin jetuar së bashku për t’u zhvendosur në një banesë tjetër në rrugën “Zef Jubani”, e cila po ashtu ishte në bashkëpronësinë e tyre.
Gjatë kësaj periudhe ndarjeje, sipas tij, kunati i tij duke qenë se konsumonte alkool shkonte te banesa ku jetonte motra e tij dhe kryente veprime të ndryshme duke dhunuar derën e jashtme të banesës, si dhe duke fyer dhe ofenduar bashkëshorten e tij me tone të larta.
E njëjta gjë ndodhi edhe më datë 4.4.2016, ku rreth orës 19:00, shtetasi Leonard Ristani është telefonuar nga motra e tij, e cila i kishte thënë se bashkëshorti i saj Arturi kishte shkuar përsëri te dera e jashtme e banesës dhe kishte dëmtuar derën fizikisht, duke i rënë me shkelma si dhe duke sharë, fyer dhe ofenduar bashkëshorten e tij.
Në këto kushte, shtetasi Leonard Ristani ka shkuar në banesën e motrës së tij.
Në kohën kur ka shkuar në këtë banesë, shtetasi Artur Kurti ishte larguar dhe në banesë ndodheshin motra e tij Sh., shoqja dhe komshija e saj, L. P. dhe nipi i tij, Jurgen Kurti.
Viktima ka marrë në telefon Sh. dhe telefonin e ka marrë Leonardi dhe është përgjigjur. Arturi ka filluar ta fyejë dhe ofendojë Leonardin në telefon dhe i ka kërkuar ta priste te banesa.
Më vonë ka shkuar aty viktima dhe ka trokitur, ku derën e ka hapur Leonardi. Viktima ka dashur të hyjë brenda dhe Leonardi nuk e lejonte.
Në ato momente viktima ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur me të Leonardin, i cili ka bërë përpjekje për t’u mbrojtur, duke arritur t’ia marrë thikën nga dora dhe e ka goditur viktimën i cili ka rënë në tokë dhe më pas ka gjetur vdekjen.
Jurgen Kurti: Ja si ndodhi vrasja e babait
I pyetur për këtë ngjarje, shtetasi Jurgen Kurti ka deklaruar se rreth orës 19:00 ka rënë dera e banesës së tyre dhe ka dëgjuar babain e tij Arturin të bërtiste, shante dhe ofendonte nënën e tij, por ata nuk e kanë hapur derën dhe ai ishte larguar nga banesa. Pasi është larguar babai i tij nga banesa, nëna e tij ka njoftuar në telefon vëllain e saj (njëkohësisht dajën e tij), shtetasin Leonard Ristani, i cili ka mbërritur aty. Në banesë në këtë moment ndodhej veç nënës, dajës edhe shoqja e nënës e quajtur K.. Në këtë moment ka marrë në telefon viktima dhe telefonin e ka ngitur Leonardi, të cilin ai e ka sharë dhe ofenduar. Rreth 15 minuta pas kësaj telefonate ka rënë zilja e derës dhe për të hapur derën ka shkuar Leonardi. Pasi ka hapur derën, i ati i tij Arturi ka filluar të shtyhej me Leonardin dhe në një moment, i ati i tij ka nxjerrë një thikë të madhe me bisht të kuq dhe menjëherë Leonardi është tërhequr për në brendësi të banesës, pasi ndodheshin te dera e jashtme. Sipas tij, me këtë thikë, viktima po godiste Leonardin, i cili është rrëzuar në dysheme dhe po godiste me këmbë për të mos lejuar Arturin t’i afrohej me thikë. Në këtë moment ka parë që babai i tij ka ecur dy-tre hapa për nga dera e jashtme dhe i gjakosur në pjesën e kraharorit ka rënë në korridorin para derës së jashtme. Ai më pas ka shoqëruar Leonardin për në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.















