Në moshën 95-vjeçare, në një gjendje shëndetësore të rënduar, historiani Kristo Frashëri shkruan një libër për Çamërinë, prezantohet nga i biri
Historia e Çamërisë për herë të parë në një vështrim shkencor, një projekt pesëvjeçar i iniciuar nga UET-PRESS me Fondacion “Çamëria” dhe Qendrën Kërkimore “Ligji, Norma dhe Tradita” pranë Fakultetit Juridik në UET, prezanton botimin “Historia e Çamërisë”, shkruar nga historiani Kristo Frashëri. Fjalët e historianit, në mungesë, i ka përcjellë i biri, Gjergji Frashëri, si një libër rezistence shekullore etnike, një golgotë etnike e udhëzuar nga zyrtarët nacionalistë grekë. Një libër që fakton shkencërisht historinë e Epirit, por hedh dritë edhe mbi dobësi e shtrembërime kryesore që Akademia e Athinës ka botuar kohët e vona, ndërsa studimet shqiptare kanë qenë të vonuara mbi historinë çame
Është konsideruar si një nga krahinat shqiptare tepër të martirizuara gjatë shekujve. Është fjala për krahinën e Çamërisë, të cilën historianët e huaj e kanë njohur si pjesë e provincës së Epirit të lashtë, apo të Epirit të Vjetër të historisë mesjetare. Ndërsa studimet shqiptare janë të vonuara mbi këtë çështje, ky pesëvjeçar pritet të finalizojë për herë të parë një vështrim shkencor, të papolitizuar mbi historinë çame. Pas dy botimeve në këtë fushë, “Epiri i jugut, Çamëria”, me një grup autorësh, dhe librit të Mentor Nazarkos “Lufta e fundit”, për pronat e shqiptarëve në Çamëri, mbrëmë në mjediset e “Hotel Tiranës” është promovuar libri “Historia e Çamërisë”, nga historiani Kristo Frashëri. Në një vëmendje të jashtëzakonshme të studiuesve, historianëve, politikanëve prezantimi i këtij vjen si bashkëpunim i botimeve “UET –Press me Qendrën Kërkimore “Ligji, norma dhe tradita” pranë Fakultetit Juridik në UET, drejtuar nga Nevila Nika.
Gjithë qëllimi i këtij projekti është të arrihet një rezultat shkencor, pra që çështja çame të jetë një fenomen shkencor i papolitizuar, apo jashtë konteksteve nacionaliste. Për këtë, administratori i UET-it, Henri Çili tha se “ne duam të themi pjesën tonë për Çamërinë si çështje shkencore, dhe me një kohë 5-vjeçare të japim një vështrim shkencor”.
Në moshën 95-vjeçare, në një gjendje shëndetësore të rënduar, historiani Kristo Frashëri mbyll një nga monografitë më të rëndësishme për historiografinë shqiptare. Në mungesë të tij, i biri, Gjergji Frashëri ka përcjellë fjalët e të atit si një libër rezistence shekullore etnike, një golgotë etnike e udhëzuar nga zyrtarët nacionalistë grekë.
Libri shoqërohet me parathënien e historianit Pëllumb Xhufi, i cili thotë se “me këtë botim, publiku shqiptar po vihet për të parën herë në dijeni me historinë e Çamërisë…Është një fat për publikun tonë që historinë e Çamërisë e mori përsipër ta trajtojë, me një sintezë shkencore, historiani ynë i shquar, Kristo Frashëri, Profesor i Historisë së Shqipërisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe studiues i thellë i Rilindjes Kombëtare në Institutin e Historisë, si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”.
Ky botim është cikli më i plotë në historinë fatkeqe të Çamërisë, peripecitë që ajo pati nga lashtësia deri në ditët tona, padrejtësitë që e kanë ndjekur në tryezat e diplomacisë evropiane. Xhufi ndalet në garancinë që jep ky libër, si studim shkencor duke besuar së pari, në bagazhin historik të autorit në lidhje me trajtimin e çështjes çame; së dyti, aftësia e autorit për të trajtuar problemin e Çamërisë si problem shkencor i historisë shqiptare; e treta, të dhënat e sakta që përdor autori në trajtimin tepër të vështirë të problemit çam nga pikëpamja historiografike.
Për Frashërin bashkëjetesa mes dy etnive në të njëjtën trevë gjeografike, ndonëse ka zgjatur mijëra vjet, nuk ka shkaktuar asnjëherë konflikte etnike. Por, puna ndryshoi kur në shekullin XIX lindën shtetet nacionaliste, të pavarura ballkanike. Sipas historianit kjo përkoi me shfaqjen e lakmive nacionaliste, ku edhe lindën lakmitë e qarqeve nacionaliste greke. Ndryshe nga historianët shqiptar, qarqet qeveritare të Athinës, thuhet në hyrje, dhe ata historianë helenë i kanë konsideruar të drejta lakmitë nacionaliste të Athinës ndaj viseve shqiptare. Justifikimi i tyre janë sirtarët e tyre me qindra punime kushtuar historisë së Epirit, botuar deri në katedrat shkencore të Akademisë së Athinës, tani në kohë të vona. Ndaj botimi i Frashërit është edhe një fashë mbi dobësitë dhe shtrembërimet kryesore, që janë bërë në fakte e metodologjinë shkencore të historisë së Epirit.
Prandaj ngjarjet historike që kanë tronditur krahinën e Çamërisë, Frashëri i sjell në vija të përgjithshme. Ato fillojmë me çështjet e hershme të historisë së Çamërisë, me etnicitetin e banorëve të saj, më pas hidhet në zhvillimet dramatike të historisë antike që pësoi kjo krahinë. Në monografinë e Akademisë së Athinës, sikurse u tha, historia e banorëve shqiptarë të Çamërisë nuk trajtohet, madje edhe emri i Çamërisë është fshirë nga fusha e emërtimit gjeografik. Emrin Çamëri të krahinës historianët, gjuhëtarët, publicistët grekë e kanë zëvendësuar prej kohësh me emërtimin e kohës antike Thesproti, të cilin deri para një shekulli nuk e njihnin jo vetëm banorët shqiptarë, por edhe banorët helenë të saj. Në hyrje të librit shënohet se deri sot nuk është botuar nga pala shqiptare ndonjë monografi, qoftë edhe me përmasa modeste, mbi historinë mijëravjeçare të Çamërisë. Këto vitet e fundit janë botuar kryesisht disa punime me materiale diplomatike rreth debatit të zhvilluar në Lidhjen e Kombeve mbi politikën e spastrimit etnik që ka ndjekur Athina ndaj shqiptarëve të Çamërisë. “Në këtë punim, ne po ndërmarrim nismën për të trajtuar një histori të dokumentuar të Çamërisë që nga kohët më të lashta deri në eksodin biblik që pësuan çamët më 1944-1945. Me këtë rast ftojmë kolegët historianë shqiptarë që të plotësojnë mungesat tematike dhe informative, të cilat i kanë shpëtuar vëmendjes dhe mundësive tona”.
Nga kapitujt më të rëndësishëm për historinë e Çamërisë konsiderohet ballafaqimi i saj me politikën magalomane me qarqet nacionaliste greke, të cilët ndoqën pas krijimit të shtetit grek për krahinën e Çamërisë. “Në këtë ballafaqim pozitat e shqiptarëve në krahasim me ato të Athinës qenë të ngjashme me ato të Davidit kundër Golias. Megjithatë, “Davidi”, edhe pse i dobët, arriti ta përballonte gjatë krizës lindore të viteve ’70 furtunën e Kongresit të Berlinit, në atë masë sa i detyroi gjashtë Fuqitë e Mëdha të hiqnin dorë nga Protokolli nr. 13 që kishin nënshkruar më 13 korrik 1878, me të cilin Greqia aneksonte, të ashtuquajturën, pjesë jugore të Epirit. Por, siç dihet, akrepat e diplomacisë botërore shpeshherë lëvizin edhe mbrapsht.”
Kështu shënohet data: korrik të vitit 1913, luftë e masakra të padëgjuara, kur Greqia e aneksoi krahinën shqiptare të Çamërisë. Historia vazhdoi në vitet që pasuan; qeveria greke u përpoq t’i dëbonte çamët nga vendi i tyre, duke instaluar aty një regjim të shtypjes e të persekutimeve, të mohimit të të drejtave njerëzore e minoritare e të sekuestrimit të pronave e të shtëpive, deri në tentativën tinëzare të përfshirjes së çamëve myslimanë në shkëmbimin e popullsive të parashikuar në Traktatin e Lozanës dhe përcjelljen e tyre si “turq” në drejtim të Turqisë. “Pasi edhe kjo përpjekje, falë qëndresës së vetë çamëve dhe denoncimit të ashpër të qeverisë shqiptare në Lidhjen e Kombeve, dështoi me turp, Athina vendosi të luajë gurin e fundit”. Xhufi rifreskon historinë me ngjarjet e vitit 1944-1945, në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur nëpërmjet një operacioni të përgjakshëm spastrimi etnik, trupat greke të gjeneralit famëkeq Napolon Zerva e përzunë me dhunë, drejt Shqipërisë, popullsinë çame myslimane. “Jo vetëm kaq, por duke iu përmbajtur skemave nacional-shoviniste të “Megali Idesë”, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, qeveritë e Athinës, ndërsa refuzonin me këmbëngulje të njihnin ekzistencën e një “çështjeje çame” nuk reshtën së bëri çdo përpjekje për të pretenduar aneksimin edhe të Shqipërisë së Jugut, të pagëzuar prej tyre qysh prej vitit 1913 si “Vorio Epir”.” Historianët tashmë e kanë thënë fjalën e tyre që si “provë e kësaj ndërgjegjeje të sëmurë të politikës së Athinës në marrëdhëniet me Shqipërinë, mbetet famëkeqi “Ligj i luftës me Shqipërinë” që ajo vazhdon të mbajë në fuqi”.
V.Murati
Gjergji Frashëri: “Disa fjalë të tim eti, se kjo ditë i takon atij”
“Deri sot, promovimet për botimet e librave të mi kanë qenë procedurë e zakonshme, pasi me ato janë vënë në dukje meritat e zakonshme dhe të jashtëzakonshme të ngjarjeve kryesore të historisë sonë mijëravjeçare; në përgjithësi janë vënë në dukje fitoret që janë nënvizuar nëpërmjet këtyre ngjarjeve. Promovimi i librit të kësaj radhe, Historia e Çamërisë, është promovimi i një rezistence shekullore etnike, është historia që kanë zhvilluar për shekuj me radhë banorët e viseve tona të cepit jugor, shqiptarët e Çamërisë, për të përballuar përkatësinë e tyre etnike, shqiptare. Është një histori famëkeqe, e cila përfundoi me një golgota biblike të udhëzuar nga zyrtarët nacionalistë grekë, të fqinjëve tanë, por 60 vjet më parë. Historia e kësaj popullsie shqiptare të martirizuar është kaq e dhimbshme, sa në historinë tonë kombëtare lë gjurmë kaq të thella, saqë të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet e tyre etnike e kanë pasur ashtu siç e kanë të vështirë kujtesën e tyre nga ndërgjegjja historike. Kjo monografi i kushtohet pikërisht kësaj kujtese historike”.
Eksodi çam
Prof. Kristo Frashëri
Njoftimet më të plota dhe më të dokumentuara mbi eksodin çam që ndodhi në vitet 1944-1945 ne i kemi ndeshur në punimin kushtuar Musa Demit hartuar nga Hajredin Isufi, botuar në Tiranë në vitin 2002. Për këtë arsye, të dhënat që përmban ky punim kushtuar Musa Demit me rëndësi për Çamërinë në këtë kapitull do të shfrytëzohen gjerësisht me bindje se ato i qëndrojnë më afër së vërtetës së ngjarjeve.
Në vjeshtën e vitit 1944 situata politike në Çamëri ishte jashtëzakonisht kritike. Shpresat që kishin ushqyer udhëheqësit nacionalistë çamë se po të fitonte luftën Italia fashiste, Çamëria do të fitonte të drejtat e veta kombëtare, ishin shuar që kur një vit më parë Italia fashiste kishte kapitulluar. Me kapitullimin e Italisë fashiste, Çamëria, të cilën Hitleri ia kishte njohur Benito Musolinit si zonë e influencës së Romës, u përfshi menjëherë në zonën e administrimit ushtarak të Gjermanisë hitleriane. Krerët nacionalistë çamë, mbasi mbetën pa përkrahjen e hierarkëve fashistë italianë, me dashje apo pa dashje, për të shpëtuar mbijetesën e tyre nga nacionalistët grekë, pranuan të përfshiheshin në administratën e Gjermanisë hitleriane. Në horizontin politik dukej se për ta nuk kishte më kthim mbrapa. Dukej se katastrofa me marshimin e saj po i merrte me vete, siç ndodhte me shumë kolaboracionistë, drejt fundit të vet.
Pas masakrës së 27 qershorit në Paramithi, banorët e Çamërisë u përpoqën të merrnin masa mbrojtëse për të përballuar furinë e papërmbajtur të bandave zerviste. Ndërkohë, batalioni “Ali Demi” për habi të luftëtarëve, mori urdhër që të rreshtohej jo në ultësirën e Paramithisë,
ku zhvillohej beteja e përgjakshme, por në lartësitë e maleve të Filatit.
Aristidh Kranja, komandanti i Divizionit X të EDES-it, shënon me këtë rast se masakra e kryer mbi popullsinë çame në Paramithi mbeti e panjohur në opinionin publik, për arsye se bandat ushtarake greke nuk lanë asnjë shqiptar dëshmitar të gjallë, që të mund të dilte nga qyteti.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se lajmi i masakrës së përbindshme ishte përhapur nga vetë zervistët gjithandej. Në takimin e 11 korrikut në malin e Kurtesit, palën e EDES-it
(zervistëve) e përfaqësonte vetë nënkolonel Kranja, bashkë me tre oficerë grekë dhe një anglez, ndërsa pala çame përfaqësohej nga Tahsin Muhedini, Halil Dalipi dhe Ibrahim Muhedini nga Paramithia. Aristidh Kranja, komandant i Divizionit të EDES-it nguli këmbë që të zbatohej kërkesa e dorëzimit të armëve nga çamët. Afati i përgjigjes tetë ditë, pra deri më 19 korrik 1944.1 Përgjegjësit e rezistencës çame nuk iu përgjigjën ultimatumit. Meqenëse shqiptarët nuk kishin armë për t’u mbrojtur kërkuan nga komanda hitleriane në Gumenicë armë për mbrojtjen e familjeve çame. Komanda hitleriane refuzoi me motivacionin se gjoja kërkonin ndihma si grekë për rezistencë antihitleriane.
Sipas një telegrami të legatës gjermane në Beograd drejtuar legates gjermane në Tiranë më 21 gusht 1944 thuhej se Berlini ishte i gatshëm të shkëmbehej minoriteti çam në Greqi me inoritetin grek në Shqipëri.
Çamët, të pafuqishëm për t’u mbrojtur nga sulmet e Zervës, u tërhoqën bashkë me familjet e tyre drejt rrethinave të Filatit. Për komandën hitleriane situata kritike e popullsisë shqiptare mund të kapërcehej duke realizuar shkëmbimin e minoritetit shqiptar të Greqisë me minoritetin grek të Shqipërisë.
Në këto rrethana, forcave çame u erdhi propozimi nga britanikët për një marrëveshje midis dy rreshtimeve ushtarake greke – EAM-it dhe EDES-it. EAM-it iu duk e arsyeshme kjo zgjidhje, e cila veç të tjerash do të evitonte krimet dhe masakrat, si ato që ndodhën kundër myslimanëve shqiptarë në Paramithi dhe në viset e tjera çame. Marrëveshja u pranua dhe u nënshkrua në Kazerta (Itali) më 1944 ndërmjet Sarafit, komandant i forcave të ELLAS-it dhe Zervës, komandant i forcave të EOEA-s.
Marrëveshja e Kazertës krijoi shpresë se nuk do të përsëriteshin më krimet kundër çamëve. Musa Demi riprodhon në kujtimet e tij letrën drejtuar Theodor Vitos me të cilën i kujtonte në këtë kohë se shqiptarët myslimanë e të krishterë ishin vëllezër të një gjaku dhe se tani ishte koha që shqiptarët e krishterë të ndihmonin çamët myslimanë, ashtu si çamët myslimanë kishin ndihmuar të krishterët e Çamërisë. Megjithatë, nuk mungonin elementë kriminelë të EDES-it, të cilët mezi prisnin rastin të hynin në Filat e Gumenicë e të përsëritnin masakrën e 27 qershorit të Paramithisë.
Situata megjithatë vinte vazhdimisht duke u acaruar. Dukej qartë se Zerva po e shkelte marrëveshjen e Kazertës. Sipas kompromisit të Zervës me gjermanët dhe informacioneve të tij për vendndodhjen e shtabit të partizanëve, gjermanët filluan goditjen me artileri në territorin ku ishte përqendruar batalioni IV i regjimentit XV të ELLAS-it. Duhet theksuar se në radhët e atij batalioni kishte dhe shumë partizanë çamë, midis të cilëve dhe djali i madh i Musa Demit, Petrit Demi me gradën toger. Më 23 shtator 1944 forcat zerviste (EOEA) iu afruan qytetit të Filatit në një kohë kur forcat gjermane ende nuk ishin larguar.
Në mëngjesin e 24 shtatorit Filati ra në duart e zervistëve. Me këtë sukses Napolon Zerva po realizonte planin e tij – spastrimin e Çamërisë nga popullsia çame. Me hyrjen e Zervës në Filat, udhëheqësit e rezistencës çame u larguan nga Filati. Musa Demi pasi kaloi kufirin u ndal në Delvinë, duke lënë mbrapa Çamërinë e mbushur me viktima banorësh të pafajshëm, të cilët mbushnin rrugët e qytetit. Në Filat u përsëritën krime të ngjashme me ato që kishin ndodhur në Paramithi. Në ditët e para, shkruan Musa Demi, u vranë dhe u masakruan shumë burra, gra dhe fëmijë. Më pas, grate e fëmijët që kishin mbetur në Filat, u grumbulluan të gjithë në shkollën e qytetit, që njihej me emrin “Kotrofio”, një ndërtesë e madhe dykatëshe, ndërsa burrat çamë, që i kishin shpëtuar vdekjes në valën e parë ishin izoluar në burgun e qytetit. Ashtu si Sanie Bollatit në Paramithi që grekët i prenë gjoksin, i nxorrën sytë dhe më pas e spërkatën me benzinë dhe e dogjën të gjallë, edhe në Filat, Hilmi Beqirin, pasi e copëtuan me bajoneta, ende pa dhënë shpirt, ia nxorrën dhëmbët e florinjtë duke i shqyer nofullat me darë. Ndërsa Avdul Nurçen nga fshati Spathar pasi i lidhën këmbët e duart, e tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e qytetit derisa vdiq.
Pas masakrave të kryera në ditët e para në Filat qytetarët çamë u detyruan të largoheshin në Shqipëri. Filloi kështu eksodi biblik i çamëve i cili të kujton eksodin e izraelitëve biblikë, ndodhur 3300 vjet më parë. Duke u larguar ata linin pas shtëpi të djegura, kufomat e të afërmëve të pavarrosur dhe të pushtuar nga tmerri. Gratë e pleqtë mezi ecnin. Fëmijët qanin. Ditë të tëra udhëtonin pa vënë gjë në gojë. Të larguarit çamë nga Filati, njësoj si dhe ata të larguarit nga vise të tjera të Çamërisë nuk gjetën vend ku të strehoheshin. Pothuajse të gjithë u dergjën në qiell të hapët. Dikush pati ngritur ndonjë tendë. Vdekjet qenë të shumta, saqë të gjallët mezi i përballonin varrimet. Largimin e tyre Jani Sharra e përshkruan me këto fjalë:
“Mijëra njerëz, burra, gra e fëmijë, me dhimbje e keqardhje në fytyrat e tyre, niseshin me ç’mundnin të merrnin me vete, në rrugën e shpëtimit”. Emigrimi i çamëve drejt Shqipërisë ishte një kalvar tragjik. I ndjeri miku im, Njac Saraçi, nga Shkodra, në prani të djalit të vetëm dhe të shoqes, më lexoi disa shënime nga ditari i tij, ku përshkruheshin mbresat nga emigrimet e çamëve, më 1944-1945. Njaci ishte në Brigadën XIII në Shqipërinë e Jugut dhe kishte patur rastin të shihte dhjetëra familje çame të kalonin para syve të tij. Lidhur me këtë ai shkruante:
“Gjithë ditën lëviznin turma të dëshpëruara e të hutuara çamësh. Dukeshin sikur armiku po i ndiqte pas. Fëmijët dhe pleqtë të dhimbseshin më shumë. Shkonin tre-katër bashkë, duke tundur kokën nga lart poshtë e diç mërmëritnin. I afrohem njërit dhe dëgjoj që thoshte nëpër dhëmbë: “Bukë, bukë!”. Disa ishin aq të hutuar, sa që duke ecur si nëpër gjumë, befas ndalonin, kujtoheshin se i mungonte një pjesëtar i familjes, bërtisnin e ktheheshin prapa për ta kërkuar… Shihej dyndja e një populli që ishte shpërngulur me të madh e me të vogël, me tmerr, duke marrë nga shtëpitë e tyre ç’u zinte dora… Kjo tërheqje e madhe nuk kishte rrëmujë dhe dukej si një kope e disiplinuar që nuk dihej kush e drejtonte dhe kush e ndiqte”.
Çamët e mërguar në fillim u përqëndruan në Konispol, Sarandë, Delvinë e rrethina. Musa Demi njofton se Rexho Plaku mori një letër nga regjimenti XXIV i EDES-it me të cilën e kërcënonin se po të mos dorëzonte çamët që ishin në ndjekje nga EDES-i dhe që ishin vendosur në zonën që mbulonte ai, atëherë komanda e regjimentit të EDES-it do ta ndërmerrte vetë aksionin e kapjes së tyre brenda kufirit të Shqipërisë. Musa Demi u informua gjithashtu se midis vijës së Kalamajt dhe Konispolit numri i çamëve arriti në rreth 15 mijë vetë e se shumë prej tyre vdisnin çdo ditë nga uria. Po ashtu ai mësoi nga Rexho Plaku se çamët kishin kufizime në lëvizjet e tyre. Ata ndaloheshin të kalonin lumin e Bistricës. Më në fund familjet çame u lejuan të kalonin Bistricën dhe të vendoseshin në vise të tjera. Pas largimit të banorëve situata në Çamëri u rëndua edhe më shumë. Po ashtu u ashpërsuan konfliktet që çuan në luftime të ashpra mes forcave të ELLAS-it dhe të Zervës. Kulmin e tyre veprimet luftarake e paten në nëntor-dhjetor të vitit 1944. Vihej re se forcat e ELLAS-it dita-ditës fitonin terren dhe fitorja anonte nga ana e tyre. Ndikimi i EAM-it filloi të rritej në të gjithë zonën e Çamërisë dhe më tej. Në dhjetor të vitit 1944 Fronti Nacionalçlirimtar i EAM-it dhe forcat e Ushtrisë NÇL (ELLAS) çliruan Çamërinë dhe në fillim të janarit 1945 i detyruan forcat zerviste të kalonin në Korfuz. EAM-i festoi fitoren. Gumenica dhe rrethinat e saj kontrolloheshin nga EAM-i dhe forcat e ELLAS-it. Sërish zotëronte përçarja e thellë politike. Popullsia e krishterë ishte ndarë në dy kampe kundërshtare: EAM dhe EDES. Në mes tyre kishte një marrëveshje të hapur, që tregonte se nga çasti në çast pritej shpërthimi i luftës civile. Musa Demi e gjykoi të arsyeshme se situata e re kërkonte që ai të nisej për në Çamëri dhe prej andej në Athinë që çamët të riktheheshin në shtëpitë e tyre. Udhëtimi i tij për në Athinë u bë i mundshëm në sajë të kontrollit të rrugës që kishte tani EAM-i në Çamëri. Gjatë udhëtimit ai vuri re se Çamëria po ziente nga fryma e rezistencës. Musa Demi takimin e parë në Athinë e pati me përfaqësuesit e aleatëve. Ai kërkoi prej tyre që popullsia çamë te kthehej në vatrat e saj dhe qeveria greke të dëmshpërblente pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme të çamëve. Ata premtuan se problemi çam do të ishte në qendër të vëmendjes së Aleatëve. Por, premtimi ishte thjesht një mashtrim po të kemi parasysh bashkëpunimin e anglezëve me Napolon Zervën në masakrat kundër çamëve.















