Ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe nuk do të ndodhë para se Kosova ta marrë kodin telefonik ndërkombëtar.
Sipas Tahirit, çështja e Asociacionit tashmë është në fazën kur duhet të hartohet statuti, i cili duhet të jetë në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Mirëpo, ende nuk kemi filluar hartimin e statutit. Duhet të presë kjo çështje, sepse para kësaj është çështja e kodit telefonik për të cilën tashmë Serbia e ka shkelur marrëveshjen, sepse ka qenë 1 marsi koha kur është dashur të përfundojë kjo çështje. Ne kemi kryer të gjitha obligimet, ndërsa pala serbe nuk i ka kryer obligimet”, ka thënë Tahiri për gazetën “Zëri”.
Ajo ka shtuar se Bashkimi Evropian i ka marrë përsipër negociatat me palën serbe.















