Një nga banorët e Shkodrës i cili ka munduar të shquajë për herë të fundit helikopterin e aksidentuar EC 145 të Ministrisë së Mbrojtjes, ka rrëfyer për Opinion.al se e ka dalluar helikopterin diku rreth orës 11.05, duke fluturuar mbi lagjen Dobraç në Shkodër.
Sipas dëshmitarit, i cili ka preferuar të mbetet anonim, helikopteri ka kryer lëvizje kaotike në ajër, aq sa në një moment banorët kanë menduar se do të përplasjes me një pallat poshtë zonës ku po fluturonte.
“Isha me vëllain tim dhe po shkonim të blinim disa materiale ndërtimi për shtëpinë tonë, në lagjien Dobraç të Shkodrës. Ka qenë ora 11.00 në mos gaboj, kur e pamë helikopterin. Në fillim mbetëm të shokuar dhe menduam se kishim të bënim me një pilot të pijshëm, pasi iu afrua aq shumë një pallati sa menduam se u përplas. Lëvizjet e helikopterit ishin kaotike. Herë ulej dhe herë ngrihej. Më pas u zhduk. E kam mësuar vetëm nga interneti që ishte ky helikopteri që më pas ra në Liqen”, tha dëshmitari okular për Opinion.al
Lagjia Dobraç ku u pa për herë të fundit helikopteri, ndodhet në dalje të Shkodrës në zonën e quajtur Rus dhe është vetëm 7 kilometra larg fshatit Grishë, ku edhe u rrëzua heliktoperi. Dhe është lagjia e fundit para se rruga të marrë drejtimin për në Malësi të Madhe. Ndërkohë që mbeten ende të paqarta, arsyet e rrëzimit të helikopterit të sigurisë së lartë, që ishte blerë 5 muaj më parë nga Ministria e Mbrojtjes.
Grupi i hetimit të ngjarjes tragjike
Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet, duke ngritur një grup hetimor në lidhje me rrëzimin e helikopterit në Liqenin e Shkodrës.
Grupi hetimor drejtohet nga Prokurori Granit Shahu, i cili sëbashku me specialistët e tjerë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rrëzimit të helikopterit ushtarak.
Helikopteri i Forcave Ajrore shqiptare është rrëzuar mesditën e sotme (6 prill) në ujrat e liqenit të Shkodrës pranë fshatit Grizhë të Malësisë së Madhe, duke shkaktuar vdekjen e dy pilotëve ndërsa një ushtar ka mbetur i plagosur.
Në bordin e helikopterit EC 145 kanë qenë dy pilotë, kapiten Florian Deliaj, toger Donald Hoxha të cilët kanë humbur jetën ndërsa është plagosur ushtari profesionist Gerald Baramuça.















