Në fund të Marsit 2016, në Spitalin Rajonal të Fierit u prezantua drejtoresha e re Bruna Cami, ajo vinte si një propozim i PDIU-së dhe prezantimin me stafin ja bëri një tjetër drejtoreshë e rëndësishme e kësaj partie, drejtoresha e Përgjithshme e Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Vjollca Braho.
Fjalën e mbajtur nga Braho HashtagAL e disponon të regjistruar, Braho shfaqet tepër interesante në këtë regjistrim. Në një moment ajo shpreh hapur faktin se meqenëse drejtoresha e re e spitalit të Fierit vjen nga PDIU-ja, pra ishte e partisë, kjo ishte një arsye që Fondi që drejton Braho të tregohej zemërgjerë me të dhe t’i lëvronte sa më tepër fonde këtij spitali.
Pak më tej Braho sqaroi se në fakt bëri shaka dhe nuk e kishte seriozisht këtë pretendim, sepse sipas saj buxhetet janë të përcaktuara që në fillim të vitit. Por pa e sqaruar mirë shakanë e saj, Braho bëhet sërish serioze. Ajo thotë se edhe pse buxhetet janë të përcaktuara ato mund të rishikohen me qëllim shtimin e mbështetjes dhe të lekëve për spitalet që kontrollohen nga e njëjta parti që kontrollon dhe Fondin.
Nuk është ndonjë hata apo çudi e madhe kjo që ka thënë Braho në fakt, të gjithë e dimë që kështu funksionon zakonisht. Por fakti që Braho e artikulon këtë fakt dhe në një mbledhje zyrtare në vizitën e saj të parë në Fier, është tregues se nepotizmi partiak dhe favorizimi është kthyer në një ligj të pashkruar tashmë, askujt nuk i bën më përshtypje, madje mund ta thuash dhe me krenari dhe me zë të lartë se je duke favorizuar drejtorët e partisë me fonde dhe prapë nuk ka ndonjë problem.














