Lideri i radikalëve serbë, Vojislav Sheshel, nuk do të guxojë të shkelë në tokën kroate për 20 vjetët e ardhshme.
Përndryshe ai do të arrestohet, pasi Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë ka vendosur një ndalim prej 20 vjetësh për Sheshel-in, shkruan e përditshmja kroate Jutarnji List, përcjellë Klan Kosova.
Ndalimi i hyrjes së Sheshelit në Kroaci është bërë në pajtim me Ligjin për të Huajt.
“U ndalohet hyrja dhe qëndrimi i të huajve kur vërtetohet se ata përbëjnë kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare”, thuhet në këtë ligj.
Ligji përcakton se ndalimi nuk mund të jetë më i afatshkurtër se tre muaj dhe më afatgjatë se 20 vjet.
Ndalimi i hyrjes së Sheshelit u bë pak ditë pasi Tribunali i Hagës e liroi atë nga të gjitha akuzat lidhur me nxitjen e krimeve të luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci.
Pas vendimit të Tribubnalit, Shesheli deklaroi Hapur se vendet që i kishin përkrahur sulmet ajrore të NATO-së ndaj Serbisë do të trajtohen si vende armike për Serbinë.















