Kryeministri Isa Mustafa e ka komentuar vizitën në Kosovë të homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, e cila është paralajmëruar për nesër (e diel).
Mustafa ka thënë se vizita e Vuçiqit realizohet me lejen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
“MPJ i ka dhënë leje që të vijë në Kosovë. Kjo për mua nuk paraqet asnjë problem”, ka thënë Mustafa në Prizren, ku mori pjesë në shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Degës së LDK-së.
Zëdhënësi i Policisë së Kosoëvs, Baki Kelani, ka thënë se organet e sigurisë në vend janë përgjegjëse për t’i ofruar përcjellje policore çdo personaliteti dhe niveli të lartë që viziton Kosovën.
“Çdo delegacion që vjen në Kosovë dhe posedon leje të autoriteve të Republikës së Kosovës , Policia, varësisht prej nivelit të delegacionit dhe vlerësimeve të rrezikshmërisë, ofron përcjellje policore”, ka thënë Kelani.
Vuçiqi kishte paralajmëruar vizitën në Kosovë edhe disa javë më herët, por vizita e tij ishte anuluar në momentin e fundit.















