Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Lulzim Rafuna, dyshohet se ka falsifikuar dokumentet e zhdoganimit të makinës që ka sjellë vite më parë në Kosovë. Sipas një burimi konfidencial brenda radhëve të Policisë së Kosovës, një makinë e prodhimit suedez Volvo, ka një vit që është konfiskuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicë me dyshimin e bazuar se procedurat e zhdoganimit janë kryere në mënyrë të parregullt.
“Makina i është konfiskuar një banori të fshatit Lubovec të komunës së Skënderajt që jeton jashtë Kosovës, por që makinën ai e kishte blerë në Kosovë, me qëllim të shfrytëzimit të saj gjatë pushimeve sa ai qëndron në vendlindje” ka thënë një zyrtarë i policisë së Kosovës në Mitrovicë.
Patrulla e policisë e ka ndaluar makinën e cila ishte në kërkim dhe pas legjitimimit, drejtuesit pronar të makinës i është treguar se makina duhet të konfiskohet për arsye se ka probleme serioze me doganën e Kosovës, për shkak të falsifikimit të dokumentacionit të zhdoganimit”, ka thënë zyrtari i policisë, duke shtuar se pronari i makinës ka reaguar duke thënë se ndoshta këtu bëhet fjalë për ndonjë shaka, meqë ishte i bindur se makina e tij ishte plotësisht në rregull me pagesat në doganën e Kosovës.
Dhe befasia ka ndodhur më pas, kur ai u është drejtuar policëve me këto fjalë: “A e dini ju o policë se këtë makinë, për herë të parë në Kosovë e ka zhdoganuar dhe regjistruar drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Lulzim Rafuna?!”, shkruan tesheshi.com.
Pas këtij pohimi të transmetuar në formën e një pyetje retorike, policët kanë mbetur të shtangur duke mos i besuar asaj çfarë thoshte drejtuesi i ndaluar i automjetit Volvo.
Dhe burimi konfirmon faktin se pas konfiskimit të makinës dhe dërgimit të saj, në fillim me stacionin e policisë në Mitrovicë dhe në pas në terminalin doganor po në Mitrovicë, pas marrjes së dosjes së makinë, të gjitha fjalët e pronarit u vërtetuan se makina ishte zhdoganuar dhe regjistruar për herë të parë nga ana e Drejtorit të Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna.syri















