Agnesa Belegu, kosovarja që studion në Florida Interactive Entertainment Academy, ka vendosur ta krijojë një video-lojë që ka të bëjë me Kosovën.
Si fëmijë, kishte luajtur me ditë të tëra Super Mario Bros me Nintendo, duke tentuar që ta kompletojë lojën.
“Nuk mund të besoja se isha përgjegjëse për jetën [e Marios]”, ka thënë 23-vjeçarja.
“Mendoja se duhet ta shpëtoja princeshën”, ka shtuar ajo.
Kjo i ka ndihmuar Belegut që ta krijojë një video-lojë, e cila do t’u ndihmojë të tjerëve që të kuptojnë më mirë situatën në vendlindjen e saj, Kosovën. Ajo është duke e krijuar video-lojën në FIEA dhe është kosovarja e parë që synon të futet në tregun e lojërave kompjuterike.
FIEA është universitet në Florida që cilësohet si shkollë e zhvillimit të video-lojërave.
Tani, Belegu është duke punuar me studentët e UCF-së për të krijuar lojën e saj.
Në intervistën për “Orlando Sentinel”, Belegu nuk ka zbuluar detaje të projektit, pasi është në fazat e para të zhvillimit, por premisat e para tregojnë se lojtarët mund të shohin botën përmes kafshëve, transmeton Koha.net.
“Është përzierje e gjërave që kanë ndodhur [në Kosovë] dhe eksplorim e asaj që shihet nga perspektiva e një jo-heroi”, ka thënë ajo.
Si fëmijë Belegu kishte mundësi të luante vetëm lojërat që kishte vëllai i saj. Babai nuk i donte sepse konsideronte se janë humbje kohe. Por këtë gjë ajo e mori si sfidë dhe vendosi që video-lojërat t’i bënte më të dobishme.
Video-lojërat i kanë ndihmuar asaj që të hiqte mendjen nga periudhat e këqija të vendit të saj Kosovës.
“Ju nuk keni çfarë të kujtoni për fëmijërinë tuaj [në Kosovë]”, ka thënë ajo.
“Si adoleshente, vetmia është armiku më i madh i yni. Luaja video-lojëra për t’u lehtësuar nga këto përvoja”, ka treguar ajo.















