Nga Silvi Bardhi
Në korrik të vitit 2015 një video tronditëse shokoi mbarë opinionin publik pasi edukatorja i ulej në mënyrë të pashpirt 2 fëmijëve jetimë, ndonëse ata vazhdonin të qanin nga dhimbjet. Një dhunë makabre ndaj dy fëmijëve të pambrojtur brenda një institucioni shtetëror, në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Në po të njëjtën video shihej qartë kujdestari i cili shkelmoi pa mëshirë një tjetër të mitur në shkallët e institucionit, duke e rrëzuar në tokë. Pamjet e xhiruara nga një telefon, jashtë ambientit të institucionit, zgjuan revoltë kundrejt personave të cilët vazhdonin ende punën ndonëse ngjarja kishte ditë që kishte ndodhur.
Mars 2016. Një fëmijë 3 vjeç identifikoi dhunuesen e tij, në Shtëpinë e Fëmijës në Durrës, kujdestaren Dafina Fama. Shenja të rënda dhune ishin mjaft të qarta në fytyrën e njomë të të voglit i cili nuk jetoi asnjë ditë të vetme me nënën e tij biologjike. Asnjë ditë të vetme nuk shijoi ngrohtësinë dhe dashurinë e vërtetë që të jep vetëm aroma e nënës, e dhunohet pa asnjë mëshirë nga një person i cili detyrë të vetme ka, rritjen dhe edukimin e fëmijëve pa mbështetje.
Ngjarje të rënda në vetëm pak muaj u raportuan.
Ngjarje të cilat jo domosdoshmërish kanë marrë zgjidhje përfundimtare nga shteti shqiptar.
Mekanizmi i ndalimit, arrestimit, vënia para hetimit të situatës, nuk mbyll përfundimisht historinë e dhunimit të të miturve pa përkrahje familjare.
Ata ndodhen ende nën kërcënimin e disa personave të cilët janë të punësuar vetëm për të siguruar rrogën e tyre, por jo mirëqenien e të miturve.
Në këtë situatë, shteti shqiptar duhet të lëvizë të gjithë mekanizmat e saj për të kontrolluar një më një të gjitha këto institucione e të kryejë intervista intensive në lidhje me sigurinë dhe zhvillimin intetelektual të fëmijëve jetimë.
Shteti shqiptar, të mos mbyllë historitë kaq tronditëse të dhunimit dhe keqrritjes së këtyre fëmijëve, vetëm me arrestimin e një apo më shumë të përfshirë.
Është momenti për të hetuar më thellë dhe identifikuar të gjithë ata të cilët këtë mision nuk e shohin si një detyrim moral, por si një përfitim momental të ardhurash.
Nuk mund të jemi në asnjë çast të sigurt se publikimi i një apo dy rasteve të zgjidhë një herë e mirë dhunën e tmerrshme karshi fëmijëve të zhveshur tërësisht nga dashuria dhe ngrohtësia familjare.
Edhe sot, kur qeveria ndërhyn për të zgjidhur një hallkë të problematikës, vënien përpara drejtësisë së kujdestarëve dhunues, drejtuesve të institucionit, nuk është arritur zgjidhja përfundimtare. Se, më dhunë nuk do të ketë mbi ta.
Në të dyja rastet e mësipërme u reagua, pasi dëmi ishte shkaktuar. Dëm i pariparueshëm psikologjik dhe fizik.
Siguria e fëmijëve të pafamilje është po aq në rrezik, nëse urgjentisht këto institucione nuk monitorohen dhe raportohen në mënyrë të përditshme.
Vënia dorë mbi një foshnje, të mitur, apo të rritur, i cili nuk ka jetuar asnjë ditë të vetme me dashurinë e mishit që e ka lindur, është një krim që kërkon kosto të lartë morale.
Kushdo që qëndron pranë kësaj kategorie vulnerabël, ka detyrën më fisnike, të dhurojë atë ngrohtësi që ai fëmijë nuk do ta jetojë dot kurrë.
Jeta dhe edukimi i tij është në duart e asaj kujdestareje, edukatoreje, të cilës do t’i faturohet mbi ndërgjegje bekimi ose mëkati.
Nëse fati i ka mohuar të drejtën për familje, nuk i ka mohuar të drejtën për të jetuar. Ndaj jeta dhe rritja e tij është detyrë sublime e kujtdo që ka marrë përsipër këtë mision mjaft të vështirë.
Përzgjedhja dhe monitorimi i rreptë i këtyre kujdestarëve, duhet të gjejë vëmendje të theksuar dhe prioritare.
Përveçse dhunës, raportimet e organizatave ndërkombëtare flasin edhe për kequshqyerje të tyre, ndaj rastet e mësipërme të mos shërbejnë vetëm për të mbyllur disa histori me “happy end” qeveritar.
Situata nuk ka gjetur zgjidhje përfundimisht!
Vëmendja duhet të kthehet seriozisht tek këta fëmijë, kauza ndaj të cilëve ka ngritur mjaft OJF, fondet e të cilave treten në eter.
Jo më pak vëmendje mori edhe rasti i foshnjes 19 muajshe e cila qëndronte e vetme në shtëpi prej 6 muajsh, e pandërruar, e palarë, e paushqyer, e pambrojtur, e braktisur nga e ëma, sepse ishte rimartuar e krijuar një jetë të re. Foshnja jetonte në kushte skandaloze në një shtëpi të një fshati të thellë të Dibrës, së bashku me babain e saj, i cili e linte pa mëshirë vetëm, përgjatë gjithë ditës. Arsyeja ishte se dilte të kërkonte punë, duke lënë prapa një krijesë e cila nuk shihte prej muajsh asnjë rreze dielli, e për shkak të kësaj gjendjeje, fëmija u diagnostifikua me problemeve me shikimin. Braktisja nga e ëma, e cila kishte vendosur të rimartohej në një tjetër fshat, ishte goditja më e rëndë që mund ti bëhej atij engjëlli.
Ngjarjet reflektojnë qartësisht situatën në të cilën rriten sot pjesa më e madhe e fëmijëve shqiptarë.
Fëmijët nuk kanë fuqinë fizike sot për të reaguar, por nesër do të jenë refleksioni i edukimit që i është dhënë përgjatë gjithë kohës së rritjes së tyre.















