Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh shqetësim për situatën në të cilën ndodhen fermerët shqiptarë, të cilët hasin vështirësi me shit-blerjen e produkteve bujqësore, me aplikimin në skemat e subvencionimit dhe me shërbimin në dogana.
Përmes një letre zyrtare dërguar Kryeministrit Rama dhe ministrave Ahmetaj, Panariti, dhe Klosi, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili thekson se nga kjo situatë qindra fermerë rrezikojnë të dëmtohen ekonomikisht.
Vasili rendit në letër, problematikat që sipas LSI-së kërkojnë një zgjidhje të shpejtë. LSI propozon një akt normativ që të lejojë fermerët të kryejnë shit-blerje me para në dorë, deri në 100.000 lekë në pikat e grumbullimit dhe të agro-përpunimit.
“Shqipëria nuk parasheh pagesa “cash’ në dorë për shit-blerjen e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Kjo është kthyer në faktor të fortë pengues për dorëzimin-shitjen e prodhimeve bujqësore nga fermerët në pikat e grumbullimit si dhe ato të agro-përpunimit. Pjesa më e madhe e fermerëve nuk zotërojnë konto bankare dhe janë larg shërbimeve bankare, duke e parë veten padrejtësisht të përjashtuar nga e drejta e shitjes së prodhimeve. Kërkohet zgjidhje urgjente, sepse po afrohet piku I prodhimit dhe pengesat në shitje do të çojnë në kalbje dhe dëmtime të prodhimeve në sera dhe arë dhe humbje të mëdha për fermerët. Duke u nisur nga eksperienca të rajonit, në analogji përshembull me Maqedoninë dhe Kosovën. Ju propozojmë të vlerësohet nga ju që ky problem të rregullohet me akt normativ, e drejta për të kryer shit-blerje me para në dorë deri në 100.000 lekë për fermerët shqiptarë në pikat e grumbullimit dhe të agro-përpunimit.”- thuhet në letrën e LSI-së.
LSI propozon që të mos ndryshojë kriteri i deritanishëm i detyrimit të pagesës së sigurimeve vetëm për muajin kur ndodh aplikimi (sigurimi korent). Tjetër shqetësim për fermerët është edhe mbyllja e shërbimeve doganore në orën 20:00, ndërkohë që maunet me prodhime bujqësore lëvizin shumë përtej këtij orari. LSI propozon shërbim doganor 24 orësh, të paktën për ngarkesat bujqësore.
“Vonesat dëmtojnë cilësinë e prodhimeve bujqësore dhe thyejnë kontratat e dorëzimit në kohë në destinacion, gjë që shoqërohen me penalitete për prodhuesit dhe eksportuesit tanë. Ju propozojmë që të aplikohet shërbimi doganor 24-orësh, të paktën për ngarkesa bujqësore. Njëkohësisht të krijohet një linjë dedikuar për kamionët me prodhime bujqësore (linja e gjelbër doganore).”- thuhet në letrën që Vasili i ka dërguar Kryeministrit dhe 3 ministrave që drejtojnë institucionet e linjës.
Kjo letër e Petrit Vasilit vjen dy ditë pasi deputeti Erjon Braçe ishte ankuar në mbledhjen e grupit të PS për paaftësinë e punonjësve të Ministrisë së LSI të drejtuar nga Panariti. Sipas Braçes, nuk bëjnë asgjë për të ndihmuar fermerët e zonës, madje deputeti i PS tha se disa fara kungulli kishin mbirë kastravec.
















