Qeveria shqiptare dhe kompania koncesionare e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit kanë arritur marrëveshjen për heqjen e ekskluzivitetit të këtij aeroporti, gjë që hap mundësinë e krijimit të aeroporteve të rinj në vendin tonë.
Në një konferencë për shtyp, ministri Haxhinasto u shpreh se së shpejti do të fillojë të vihet në funksion aeroporti i Kukësit.
“Do të fillojmë të vëmë në funksionim aeroportin e Kukësit për fluturime ndërkombëtare”, u shpreh ministri Haxhinasto.
Heqja e ekskluzivitetit të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit dhe hapja e aeroportit në Kukës do të ndikojë në uljen e çmimeve të biletave të fluturimit si dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.
Çmimi i lartë i biletave nga Rinasi ka qenë përherë një shqetësim, për shkak se janë më të shtrenjtat në të gjithë Ballkanin. Ministri i Transporteve, Panariti bëri me dije se pas Kukësit do të fillojë puna edhe për krijimin e aeroportit të jugut.
















