Analisti amerikan Daniel Serwer në një shkrim autorial, ka analizuar një fjalim të Hashim Thaçit të mbajtur në Hagë javë më parë.
Sipas Serwer, ka shumë skeptikë që fjalët Thaçi do ti përkthejë në vepra sidomos në fushën e sundimit të ligjit. Për më tepër, Serwer thotë se Thaçi këtë as që mund ta bëjë pasi nuk ka President.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë shkrimin e ish-diplomatit amerikan, siç transmetohet nga Gazeta Express.
“Presidenti i zgjedhur i Kosovës, Thaçi, së fundmi ka folur në Institutin e Hagës për Drejtësi Ndërkombëtare. Një mik i imi më sugjeroi që t’ia hedh një sy me kujdes fjalimit të tij, një sugjerim që besoj mu bë për shkak të letrës time të hapur pas zgjedhjes së tij në presidencë.
Nuk jam i prirur që t’i përgjigjem në detaje në katër pikat e para që i përmend Hashimi. Ua lë këtë të tjerëve që të ofrojnë dëshmi nëse ai është i saktë apo jo kur pretendon që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) gjatë rebelimit të saj kundër sundimit serb në fund të viteve 1990 nuk ka përdorur terrorizëm kundër civilëve, nuk është mbështetur në të hyrat nga aktivitete kriminale, dhe se më të vërtetë i ka pranuar vlerat perëndimore dhe se ka mbajtur distancë nga feja. Unë do të preferoja që të gjitha këto të jenë të vërteta, por e kuptoj që dikush do të donte t’i sfidonte këto pika, veçanërisht të parën, të dytën dhe pikën e tretë.
Hashimi e përmend edhe një pikë të pestë që sot ka rëndësi të veçantë: që pavarësia e Kosovës ka qenë një kompromis në mes të Beogradit, i cili ka kërkuar që ish krahina autonome të ri-inkorporohet në Serbi, dhe atyre në mesin e shqiptarëve që donin Kosova t’i bashkohet Shqipërisë. Unë mendoj së në parim ai ka të drejtë: kosovarët e kanë pranuar marrëveshjen me komunitetin ndërkombëtar (Serbia nuk e kishte nënshkruar) që lejonte pavarësinë, por e evitonte bashkimin me Shqipërinë.
Mirëmbajtja e kësaj marrëveshjeje është vitale për marrëdhënien e mirë me amerikanët dhe europianët, jo vetëm për shkak se heqja dorë prej saj në drejtim të bashkimit me Shqipërinë (apo dorëzimi i komunave të veriut Serbisë, diçka që do të pasonte) do t’i ofronte Rusisë justifikimin që ajo e kërkon për propozimet e saj për disa ndryshime kufijsh: aneksimi i Krimesë dhe sundimi de fakto i saj mbi Donbasin e Ukrainës, Osetisë Jugore, Abkazisë dhe Transnistrisë. Lëvizja politike kosovare e njohur si Vetëvendosje! Është duke e sfiduar marrëveshjen që çoji deri te pavarësia, krahas disa serbëve që duan përfshirjen e pjesës veriore të Kosovës në Serbi. Duke e bërë këtë, ata rrezikojnë hapjen e Kutisë së Pandorës duke e bërë Kosovën në një shtresë të ulët.
Kur Presidenti i Zgjedhur hedh shikimin drejt të ardhmes, ai potencon katër çështje: Serbia dhe Kosova duhet t’i ndihmojnë Europës, veçanërisht sa i përket imigrimit, ekstremizmit dhe krimit të organizuar, të cilën ai pjesërisht e lidh me Rusinë; të bashkëpunohet ekonomikisht, në veçanti për krijimin e vendeve të punës; të angazhuarit rajonal, veçanërisht rreth sigurisë (përfshirë edhe përmes NATO-s) dhe infrastrukturë; vendosjen e rendit të ligjit, përfshirë Gjykatën Speciale të Kosovës e cila do të merret me dyshimet për krimet e pasluftës së UÇK-së që disa persona mendojnë se e përfshijnë edhe vet Thaçin.
Ai potencon edhe shumë çështje, por unë dua që të fokusohem drejt esencës që është relevante për politikat e tij, që duken të jenë jashtëzakonisht të arsyeshme.
Shumë lexues do të donin të ngrinin pyetje rreth sinqeritetit të Presidentit të zgjedhur, rreth sulmeve të pasluftës ndaj serbëve dhe shkatërrimit të kishave serbe dhe monumenteve në Kosovë, rreth dyshimeve kriminale dhe dënimeve kundër komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, dhe perceptimit rreth përhapjes së madhe të korrupsionit dhe pasurimit ilegal. Unë nuk kam kundërshtime rreth këtyre çështjeve që ngritën dhe shpresoj që presidenti i zgjedhur do t’iu përgjigjet në të njëjtën ton të përmbajtur siç ishte fjalimi i tij në Hagë.
Por unë mendoj që është e përshtatshme të kujtohet se diplomaci nënkupton të bësh të tjerët të flasin dhe bëjnë atë që t’i ke dëshirë të thonë e të bëjnë.
Hashimi është duke thënë shumë gjëra ashtu si duhet, së paku deri më tash sa i përket shqetësimeve të komuniteti ndërkombëtar.
Kosova ka nevojë për qeverisje efektive, të pastroj korrupsionin, të rris ekonominë, të mbroj serbët si dhe minoritetet e tjera, dhe t’i jap fund trafikimit, krimit të organizuar dhe ekstremizmit që po i japin një emër të keq. Të gjitha këto çojnë deri te institucionalizimin e qeverisë së përmirësuar.
Kjo kërkon më shumë se sa vetëm të thuhen gjërat ashtu si duhet për të bindur skeptikët. Kjo kërkon të bësh gjërat ashtu si duhet. Edhe nëse ke qëllimet më të mira, nuk do të jetë e lehtë: presidenti në Kosovë zgjidhet në parlament dhe ai ka fuqi të kufizuara. Shumë do të jenë skeptikë që Thaçi është vërtetë i përkushtuar për të bërë sundim të ligjit në një mënyrë serioze. Por, Hashimi i ka vënë qëllime të larta vetës. Kjo është e mirë. Tani të shohim nëse ai mund të verifikojë atë që e thotë. Kjo do të ishte shumë më e mirë.















