Ardhja e Komisionerit Johanes Hahn në Shqipëri e ka ndryshuar tërësisht qasjen e socialistëve ndaj shqetësimit të opozitës mbi mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Edi Rama u përpoq t’i shpjegonte komisionerit se nuk bëhej fjalë për mosrespektim vendimesh, por për procedurë kur u pyet në konferencë për shtyp mbi kushtëzimin që i bën opozita dialogut për reformën në drejtësi. “Mjafton t’i referoheni pikës së Kushtetutës, të cilës i referohet Gjykata Kushtetuese, për vendimin lidhur me një deputet, që sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese, parlamenti e votoi dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese dhe pikës që Gjykata Kushtetuese nuk e trajton që lidhet me rastin e dy deputetëve të tjerë. Kështu që, sikundër e tha dhe Komisioneri, kur palët ndajnë interpretime të ndryshme, e vetmja palë që mund të japë një vendim përfundimtar është vetë Gjykata”, tha kryeministri, duke iu referuar si rast të parë atij të deputetit Kokëdhima.
Për këtë rast, Gjykata Kushtetuese vendosi prerazi që Kuvendi duhet t’i drejtohet asaj për interpretim dhe s’mund të vendosë vetë nëse duhet t’i hiqet apo jo mandati.
PD reagoi ashpër ndaj deklaratës së Ramës, duke e quajtur gënjeshtar. “Gjykata Kushtetuese ka vendosur qartë. Me vendimin e saj, ajo thotë se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë dhe jo Parlamenti”.
PD, duke lexuar vendimin e Kushtetueses për rastin Kokëdhima thotë se “është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese” të përcaktojë pavlefshmërinë e mandatit. Nga PS nuk pati asnjë reagim pas kësaj.
Por një ditë pas këtij debati , në nisje të seancës parlamentare, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, iu drejtua me një letër kryetarit Ilir Meta. Ajo i kërkon që të jetë Kuvendi ai që të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për mandatin e saj. “Duke qenë se veprimtaria ime si deputete është në përputhje të plotë me jursprudencën e Gjykatës Kushtetuese, po ju drejtohem me këtë letër që Kuvendi i Shqipërisë ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën që PD i a përcjellë Kuvendit me 2 mars 2016”, shkruan Leskaj.
Mazhoranca e refuzoi ta zbatonte këtë mekanizëm për rastin e Leskajt dhe të deputetit socialist Rakip Suli. Ajo i hodhi poshtë dy kërkesat e PD –së me numrat e kartonave të saj.
Gjykata Kushtetuese, në rastin e kërkesës për konstatimin e pavlefshmërisë së mandatit të deputetit Kokëdhima ishte shprehur qartë se vendimmarrja e Kuvendit shërbente vetëm për ta vënë atë në lëvizje. “Në të tilla raste Kuvendi nuk mund të vërë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk mund t’ia nënshtrojë atë debatit parlamentar, por vendimmarrja e tij si organ kolegjial është e domosdoshme me qëllim vënien në lëvizje të kësaj gjykate për t’u shprehur për themelin e çështjes, për sa kohë që pa një vendim të shumicës parlamentare Gjykata nuk mund të shqyrtojë kërkesa të tilla. Vendimmarrja e Kuvendit në raste të tilla është në funksion të legjitimimit të këtij organi si një nga subjektet që mund të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues.”
Edi Rama deklaroi në konferencën për shtyp me Komisionerin Hahn se PD mund të vepronte po njësoj si në rastin e Kokëdhimës: “Unë e ftoj Partinë Demokratike, që siç shkoi në Gjykatën Kushtetuese për njërin rast, të shkojë edhe për dy rastet e tjera që nuk kanë lidhje me rastin e parë dhe ne do të zbatojmë rigorozisht, siç bëmë në rastin e parë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Përpara Leskajt, edhe Rakip Suli shprehu vullnetin që mandati i tij të shkonte në Gjykatë. Por një javë pas deklaratës së tij mazhoranca e bllokoi edhe këtë vullnet.
Dërgimi i mandateve në Kushtetuese nuk është e vetmja kthesë 180 gradë e Ramës në qëndrimin personal apo të mazhorancës që përfaqëson ndaj PD –së. Ai e kishte refuzuar kërkesën e PD –së për dialog politik të nivelit të lartë për Reforëmn në Drejtësi. Madje, SHQUPI-t që deri dje i fliste shqip, i tregoi edhe respekt, si kurrë më parë. “Bazuar në eksperiencën shumë pozitive të Dialogut të Nivelit të Lartë, mendoj se nuk është e kotë që sot unë ta ftoj publikisht në sy edhe të mikut tonë të përbashkët Komisionerit Hahn, Partinë Demokratike, lidershipin e saj, që të ulemi në një tryezë dialogu të nivelit të lartë politik mes nesh, pa praninë e çmuar të miqve. Jemi të gatshëm ta dëgjojmë me vëmendje dhe me respekt Partinë Demokratike, sepse unë besoj që ekziston mundësia që të biem dakord që mos dakordësitë tona t’i trajtojmë në mënyrë të civilizuar”, deklaroi Rama.
Po përse po zmbrapset Edi Rama në qëndrimet e tij që ai i ka mbrojtur jo vetëm personalisht, duke injoruar deri në fyerje kërkesat e opozitës, por edhe duke rreshtuar në deklarata publike të besuarit e tij? Po të shohim deklaratën e komisionerit Hahn, përgjigjja është e thjeshtë. BE e ka vendosur miratimin e reformës në drejtësi kusht për të dhënë dritën jeshile për hapjen e negociatave. Dhe Hahn kërkoi rezultate konkrete brenda pranverës. “Elementi kyç është reforma në drejtësi… Shpresojmë në një ndikim pozitiv afatgjatë në vend dhe në mënyrë që të ketë po kështu një udhërrëfim për sa i përket çeljes së negociatave për anëtarësim në BE. Është shumë e rëndësishme të ketë një vendim përpara se të fillojë zbatimi i kësaj reforme në drejtësi”
Në tre vjet qeverisje Edi Rama kërkon që në fushatën elektorale të 2017 –ës të shkojë me një rezultat konkret. Hapja e negociatave për anëtarësim, nëse do të ndodhë, do të ishte realisht shprehje besimi e punës së qeverisë së tij nga BE. Pa këtë kartë, Edi Rama do të duhet të përballet në fushatë me qytetarët e zhgënjyer se ai nuk arriti të shtonte vendet e punës, se i gënjeu kur u tha se do të kishin më shumë para në xhepat e tyre, se dështoi në luftën kundër korrupsionit, kundër monopoleve dhe kundër shpërndarjes së parasë publike tek miq e të afërm me anë të koncesioneve, që përbëjnë fjalën kyçe e qeverisjes së tij.















