E ekzekutuara në ’97-n në Holandë është Zyra Hida, nga Elbasani. Apeli i djemve
Zyra Hida – Zyra Hida, e lindur më 21 korrik të vitit 1966, nëna e tre djemve, ishte ndarë nga bashkëshorti i saj, Petrit Bani, në vitin 1995. Ajo ishte martuar që kur ishte 14 vjeçe
Djemtë – Një nga djemtë tha se “si shteti shqiptar, si ai holandez, të na ndihmojnë për të kthyer trupin e nënës sonë. Këtë kërkojmë, duhet ta zgjidhë shteti, duhen kapur personat”
Kur kanë kaluar 19 vjet nga vrasja e 31-vjeçares shqiptare në Holandë, u arrit që këto ditë të mundësohej identifikimi i saj. Zyra Hida, nënë e 3 fëmijëve, ishte vetëm 31 vjeçe kur gjet e vrarë në Amsterdam, në vitin 1997 dhe prej asaj kohe ajo ishte varrosur si e paidentifikuar, bashkë me qindra të tjerë. Gazetarët holandezë erdhën në Elbasan dhe biseduan me djemtë dhe vëllain e Zyrasë, teksa të gjithë u shprehën se e kishin identifikuar që në momentet e para kur kishin parë fotografinë e saj në televizion. Shpëtim dhe Marenglen Hida nuk mundën t’i mbanin lotët kur u takuan me grupin e gazetarëve të emisionit “Varr pa emër” të televizionit holandez SBS. Pas 19 vjetësh pritje, mësuan se nëna e tyre është vrarë. Ata janë djemtë e Zyrah Hidës, gruas shqiptare që u gjet pa jetë në një nga sheshet kryesore të Amsterdamit korrikun e vitit 1997. Zyra Hida, e lindur më 21 korrik të vitit 1966, nëna e tre djemve, ishte ndarë nga bashkëshorti i saj, Petrit Bani, në vitin 1995. Ajo ishte martuar që kur ishte 14 vjeçe. Në Itali ishte ndaluar dy herë nga policia, ku kishte lënë shenjat e gishtave. Kur u gjet e vrarë në Amsterdam, ishte vetëm 31 vjeçe. Ajo është varrosur në kryeqytetin holandez në mesin e 300 viktimave pa emër.
Historia
Kufoma i përket Zyra Hidës, 31-vjeçare kur është ekzekutuar, dikur banuese në lagjen “11 Nëntori” në Elbasan. Nëna e tre djemve ka një histori shumë të dhimbshme. Sipas së motrës, Xhuljeta Hida, ajo është martuar që kur ishte 14 vjeçe në fshatin Muriqan të Cërrikut. Por gjërat nuk kanë shkuar mirë. Mes çiftit ka pasur grindje të vazhdueshme e për pasojë ka ardhur edhe divorci. Më pas janë ribashkuar dhe kanë qëndruar tek shtëpia e motrës së burrit në një lagje periferike të Elbasanit. Këtu e ndjera është përballur me një realitet edhe më të hidhur, pasi është rrahur, është keqtrajtuar, është përbuzur nga bashkëshorti dhe njerëzit e tjerë të tij. Ka bashkëjetuar njëkohësisht me gruan e dytë të bashkëshortit, ku ka ndarë një krevat më të. Ajo u kthye sërish te bashkëshorti, ku dhe nisën planet për t’u trafikuar në Itali. Ajo është shitur për 1 milion lekë të vjetra. Në nëntor të vitit 1996 ka hyrë në kontakt me Xhuljetën ku e ka njoftuar se ndodhej në Romë nën kujdesin e një personi me emrin Titi. Për vit të ri ka sjellë edhe 600 mijë lekë të vjetra me premtimin se do të sillte sërish të tjera. Kontakti i fundit me motrën ka qenë në mars të vitit 1997. Më pas nuk kanë pasur asnjë njoftim. Xhuljeta Hida tregon se në atë kohë ka kryer kallëzim penal për zhdukjen e së motrës, por nuk morën asnjë lajm për fatin e saj. Denoncimet nuk vazhduan gjatë, për shkak se trafikantët mund të hakmerreshin ndaj familjes dhe fëmijëve të saj. Xhuljeta Hida fajëson nënën dhe një nga vëllezërit e saj në këtë histori. Ajo pohon se nuk do t’i falë kurrë gjatë gjithë jetës, pasi mendon se ata ishin shkaktarët që Zyraja u largua. Familja kërkon nga shteti që të ndihmojë në ardhjen e eshtrave për të kryer varrimin në Elbasan.
Djemtë
Djali i saj i madh, 31 vjeçar, Shpëtim Hida thotë se e ka njohur menjëherë, sapo e ka parë foton e saj në lajme dhe më tej e verifikoi në internet. “Nuk e kishim idenë nëse ekzistonte, ishte gjallë apo vdekur. Që në ’95 nuk e kishim idenë fare se ku ishte. Në ’97 u bë e gjallë, merr në telefon, ndërkohë na sjell disa lekë, herën e parë, herën e dytë. Na sjell edhe këto fotografitë”-thotë ai. Në njërën prej fotografive ajo shfaqet nën shoqërinë e një burri. Djemtë kujtojnë se nëna e tyre i kishte thënë babait të saj, që ai quhej “Titi”, nga Fieri. Shpëtimi thotë se denoncimin e kanë bërë në vitin 1997, kur drejtor policie në Elbasan ishte Edmond Koseni. “Na ka rrit gjyshi me gjyshen. Jemi rrit aty, pa nënë edhe pa babë. Babai ka krijuar familje tjetër, jeton në Mal të Zi. Si shteti shqiptar, si ai holandez, të na ndihmojnë për të kthyer trupin e nënës sonë. Këtë kërkojmë, duhet ta zgjidhë shteti, qeveria këtë punë, duhen kapur personat. Shteti duhet të zbatojë ligjin. Deri tani s’e kanë zbatuar. Nuk mund të vritet një person dhe ta lënë si qen rrugëve. Policia shqiptare na ka thënë ‘Ikni se do t’ju lajmërojmë ne’”-shprehet 31-vjeçari.















