Nazime Visha, vajza 22-vjeçare nga periferia e largët e Tiranës, la dje qelinë e burgut pas katër vitesh mbyllur brenda saj.
E dënuar për vrasjen e 45-vjeçarit Fiqir Muça, Nazimja hodhi dje hapin e parë drejt lirisë dhe një jete të re.
“Tani do vazhdoj shkollën”, tha 22-vjeçarja sapo kaloi portën e hekurt të burgut 325 në Tiranë.
Një dekret i Presidentit të Republikës i fali Nazime Vishës pjesën e mbetur të dënimit me 10 vjet burg, për akuzën e vrasjes me paramendim të shtetasit Fiqiri Muça, i cili kishte abuzuar me Nazimen që në moshën 13-vjeçare.
Në dekretin e tij, Presidenti Nishani thotë se duke u nisur nga kërkesa e ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani më datë 26 shkurt 2016, dekreton faljen e pjesës së mbetur të dënimit të Nazime Vishës, e cila deri më tani kishte kryer rreth 1/3 e dënimit.
Presidenti Nishani ka arsyetuar në dekretin e tij arsyet e faljes së Vishës, e cila ishte dënuar me 10 vite burg për vrasjen e Fiqiri Muçës.
“Falja është një akt human i jashtëzakonshëm mëshire, dhe jepet në rastet kur nuk ekzistojnë kriteret ndaluese, e kur dënimi i vuajtur ka arritur qëllimin edukues dhe ri-integrues. Te kërkuesja vlerësova gjithashtu pendimin e thellë, sjelljen e saj si e dënuar, arsyetimin ligjor dhe propozimin e ministrit të Drejtësisë, si dhe çdo rrethanë tjetër të veçantë që justifikon faljen”, thuhet në dekretin e faljes së Nishanit.
E para që mori lajmin e gazuar për familjen Visha ishte gjyshja e 22-vjeçares, Drita, e cila ditën e djeshme ishte nisur drejt burgut ku qëndronte mbesa e saj për të kërkuar disa ditë leje. Por gjatë rrugës ajo mësoi se Presidenti e kishte falur Nazimen.
“Erdhëm për të marrë leje, në rrugë na erdhi telefonata, Nazimja falet”.
Përpara portës së burgut, e moshuara thotë se ky ishte një gëzim i madh për të dhe familjen e tyre.
“Nuk e imagjinoja këtë gëzim. Kam ardhur me vrap. S’kishte njeri të më shtrëngonte se aq më dridhej trupi. Jam shumë e gëzuar. Ju falënderoj shumë”, u shpreh gjyshja e Nazime Vishës, teksa shprehu falënderimet e saj për presidentin Nishani, ministrin Ylli Manjani.
Pas daljes nga burgu, Drita tha se Nazimja do të kërkojë punë, pasi gjatë qëndrimit në burg ajo ka mësuar disa zanate si parukiere, kuzhiniere apo rrobaqepëse.
Rreth orës 12:00 të mesditës së djeshme, 22-vjeçarja kaloi për herë të fundit portën e rëndë të burgut dhe u bashkua me familjarët e saj, që e prisnin prej disa orësh. Ajo tha se tashmë do t’i kthehet shkollës, një mundësi kjo e humbur për Nazimen për shkak të gjendjes ekonomike të familjes së saj.
“Drejtoresha e institucionit më ka siguruar një bursë dhe do të filloj shkollën”, tha ajo.
E buzëqeshur, Nazimja falënderoi para gazetarëve të gjithë ata që kontribuan në lirimin e saj.
“Falënderoj ministrin e Drejtësisë, Eni Vasilin, Ismail Kadarenë, drejtoreshën e burgut dhe gjithë ata që më kanë ndihmuar” -ka thënë Nazimja.
Por dekreti i Presidentit që i falte 3 vjet e 9 muaj burg Nazime Vishës ka sjellë reagimin e familjarëve të Fiqir Muçës, të cilët thanë se ajo duhet ta kishte kryer të plotë vendimin e dhënë nga gjykata.
Vendimi i presidentit është cilësuar i padrejtë nga gruaja e Fiqiri Muçës, Mynyrja.
“Unë jam grua dhe nuk do ta fal Nazimen kurrë. Nazimja më shkatërroi familjen, ajo nuk vrau vetëm Fiqiriun, por të gjithë familjen. Nuk do ta fal kurrë”.
Edhe djali i saj, Ervisi thotë për Panoramën se do të kryejnë vetëgjyqësi.
“Prandaj nuk ka stabiltieti vendi nga krimet, sepse shteti nuk mundet të vërë drejtësi dhe familjarët pastaj detyrohen të futen në gjak me kundërshtarët,” tha ai.
Kurse nëna e tij thotë se Fiqiriu ka marrë kredi për të blerë dhurata për dashnoren e tij, Nazimen.
“Fiqiriu, pa dijeninë time, kishte marrë një kredi në një bankë, rreth 1 milionë e gjysmë lekë, për t’i blerë dhurata Nazimes. Tani banka m’i kërkon lekët mua. Unë nuk kam asnjë mundësi për ta mbyllur atë kredi, por edhe të kisha pasur mundësi, nuk do ta mbyllja sepe nuk kam qenë në dijeni të kredisë që kishte marrë Fiqiriu”.
Familja Muça jeton në varfëri të plotë dhe thonë se asnjë zyrtar nuk është kujdesur për fatin e tyre.















