Arratisja e përbashkët e një gardianeje dhe një të burgosuri nga një burg i Zyrihut që pati bërë bujë të madhe në fillim të shkurtit, ka marrë fund.
Rreth një muaj e gjysmë ky çift i veçantë ka mbajtur në gatishmëri organet e ndjekjes dhe ka ofruar material interesant për mediat.
Të quajturit “Bonnie and Clyde” të Zyrihut, pas më shumë se një muaj heshtjeje, ditë më parë kishin ofruar video për të treguar se janë shëndosh e mirë.
Policia italiane, mbështetur në fletë arrestin ndërkombëtar, ka kapur dy personat e përmendur në mëngjesin e sotëm në Romano di Lombardia, në provincën e Bergamos, rreth 100 kilometra nga kufiri me Zvicrën, njofton agjencia italiane e lajmeve Ansa.
Angela Magdici, gardiane 32 vjeçare dhe Hasan Kiko, shqiptari i burgosur 27 vjeçar ishin dashuruar në burgun ku vuante dënimin ky i dyti. Kjo kishte shtyrë Angelan që të ndihmonte të dashurin e saj për të ikur dhe të ikte edhe ajo se bashku me të.
Hasani po vuante një dënim me katër vjet burg për dhunim seksual.
















