Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashër lidhur me rastin e kërcënimit e fyerjes së gazetarit Vehbi Kajtazi nga Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i tronditur me lajmin se kryeministri Isa Mustafa ka kërcënuar gazetarin Vehbi Kajtazi, pas publikimit të hulumtimit ‘Vëllai i kryeministrit Mustafa kërkoi azil në Francë dhe Gjermani’.
Gazetari Kajtazi ka bërë të ditur se posedon prova se telefonata kërcënuese ka ardhur nga numri i telefonit të kryeministrit Mustafa.
AGK konsideron se ky rast është skandaloz, sidomos kur kërcënimi vjen nga një autoritet i lartë, i cili do të duhej të jetë garant i lirisë së shprehjes dhe ushtrimit të lirë të profesionit të gazetarisë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga kryeministri Isa Mustafa që të kërkojë falje publike dhe ta sqarojë pozicionin e tij lidhur me këtë çështje serioze.
Kjo situatë shpërfaq gjendjen e rëndë dhe kushtet e pafavorshme për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë në Kosovë.
Ndërkaq, kërcënimet dhe dhuna ndaj gazetarëve në rritje kërkon vëmendje të posaçme nga organet e rendit për gazetarët.
Të vetëdijshëm se liria e shprehjes dhe e medies është një prej vlerave më të rëndësishme të një shoqërie demokratike, AGK u bënë thirrje institucioneve të vendit që të kenë prioritet punën e gazetarëve dhe të marrin masa për krijimin e një ambienti të sigurt për gazetarët.
AGK do ta njoftojë komunitetin e gazetarëve për veprimet dhe aktivitetet e mëtejme në raport me Kryeministrinë”, thuhet në komunikatë.
















