Gramoz Ruçi në fjalën e tij të sotme në Kongresin e PS, mendohet se lëshoi edhe disa thumbime ndaj Koço Kokëdhimës.
“Unë jam për rregulla të forta dhe domosdoshmërinë e zbatimit të tyre, jam për unifikim dhe zbatim të unifikuar të rregullave të partisë në të gjithë territorin dhe jo për të ashtuquajturat projekte pilote në emër të të ashtuquajturave reformë në parti për të krijuar një çorganizim të organizuar që dëmton frymën, dëmton organizimin dhe veprimin politik. Jam për veprim politik të çdo anëtari të Partisë Socialiste”– tha Ruçi.
Por me kundërpërgjigjen e tij, Kokëdhima reagoi duke lartësuar taktikat e ndjekura nga ai në rajonin Vlorë-Gjirokastër, ku sipas Kokëdhimës “Anëtarësia është trefishuar. Ndërsa më herët kishim vetëm 6 mijë anëtarë, sot PS numëron 22 mijë anëtarë” ka dekalruar Kokëdhima.
Koço Kokëdhima shkoi edhe më tej kur tha se: “Edhe kritikëve të mi u them që kjo refomë nuk është e përkryer por është thjeshtë madhështore”.
Por ndërkohë, nga Vlora, ku Kokëdhima është Kryekomisar, një socialist dhe njeri i njohur i kulturës, Sejmen Gjokoli, i ka kushtuar disa vargje ironike dhe therëse nga gazeta Telegraf, sikurse mund të lexoni më poshtë:
1.
Vlorë, o moj Vlorë,
Që je nderi ynë,
Vallë pse rënkon,
Ç’ ke që psherëtinë?
2.
Ç’ ke që je trazuar,
Për gjumë s’e mbyll synë,
Ti je zonjë e madhe,
Vulos historinë.
3.
Ngrehu moj në valle,
Dridhe moj, shaminë
Koçua si e deshi
Ta bëri Partinë!
4.
Kur flet në podiume,
Miza s’pipëtinë,
Dhe shoku Enver,
Do t’ia kish zilinë.
5.
Fare nga themelet,
E shkuli Partinë,
Amani, o shokë,
Kuje, ulërimë!
6.
Brenda te PDja
E ngriti “shtëpinë”
Shtruar me mokete
Ngjyrat farfurijnë.
7.
Nga çdo anë pasqyra,
Ekrane me ngjyrë,
Nëpër tavolina,
Miset venë e vijnë.
8.
Thonë socialistët,
Ç’e gjeti selinë,
O shokë, amani,
Kuje, ulërimë!
9.
Kishim kontributet,
Kishim historinë,
Po ç’u bënë vallë,
Nga vajtën, s’e dimë.
10.
Thonë i hodhi tutje,
Fare në greminë,
Tani nga e para,
Do bëjë historinë.
11.
Sikur s’kemi qenë,
Flak e vetëtimë,
Sikur s’jemi ndeshur,
Një jetë, me Salinë.
12.
Sikur s’kemi korrur,
Fitoret, duzinë
Amani, o shokë,
Kuje, ulërimë!
13.
Tani telefonat,
Shkrepin vetëtimë,
Shkruaj, shuaj emra,
Listat venë e vijnë.
14.
Ca si të marrosur,
Ca as vet s’e dinë,
Ç’po bëhet, o njerëz,
Si në rrokullimë ?!
15.
Koçua nga e para,
E bëri Partinë,
O shokë, gëzoni,
Dhe pa bukë të rrimë.
16.
Në zyrat me qelqe,
E ka vënë dylbinë,
Nëpër telefona,
E ka gjet parinë.
17.
Strukturat që ishin,
Si kripa u shkrinë,
Një fjalë pa thënë,
As vulë e as firmë.
18.
Pa le delegatët,
Nuk dihet nga mbinë,
Ca vihen në lista,
Ca me gomë u fshinë.
19.
Ca të propozuar,
Nga vajtën s’e dinë,
Thonë deputetit,
Nuk ja mbushën synë.
20.
Kryetar do zgjidhet,
Kujt t’i bjerë me vrimë
Amani, o shokë,
Kuje, ulërimë!
21.
Sepse kandidatët,
Janë shtatë duzinë,
O shokë, amani,
Kuje, ulërimë!
22.
Nuk dihet nga janë,
Nuk dihen nga vijnë,
Ka dhe nga PDja,
Ca as vet s’e dinë.
23.
Hiq e vër drejtorë,
Me një fërshëllimë,
Amani, o shokë,
Kuje, ulërimë.
24.
Ndërsa ca të tjerë,
As vet s’dinë pse rrinë,
S’dihet kush i vuri,
As ç’të bëjnë dinë?!
25.
Të tjerë për fitoren,
U hëngër, u grinë,
Të tjerë punësohen,
Të tjerë dhe partinë.
26.
Njerëzit po ikin,
Të gjithë me vërvimë,
Dhe nga sytë këmbët,
Marrin arratinë.
27.
Si deshe e bëre,
Jugun dhe partinë,
Të paçim, o Koço,
Bej, Pashai ynë!
















