Mediat ndërkombëtare, veçanërisht ato britanike, i kanë dhënë jehonë të madhe vizitës së Princit Charles në Kosovë.
E përditshmja më e madhe britanike, Daily Mail hapësirë të madhe i ka dhënë takimit të Princit dhe bashkëshortes së tij, Camilla, me familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Princi i Uellsit dhe Dukesha e Kornvallit janë emocionuar kur në kryeqytetin kosovar sot dëgjuan rrëfime të familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999. Elvane Dana, 55, i tregoi Charles-it se djemtë e saj 10 vjeçar dhe 18 vjeçar bashkë me 10 anëtarë tjerë të familjes ishin marrë nga forcat serbe dhe që nga ajo kohë vetëm tetë nga ata janë kthyer”, shkruan Daily Mail.
Kjo gazetë kujton se në Kosovë ende mungojnë 1668 persona.
Po ashtu në këtë raport përmenden edhe takimet e Princit me presidenten Atifete Jahjaga dhe vizita e tij në Prizren.
Princi dhe bashkëshortja e tij e kanë pambyllur vizitën në vendin tonë në orët e mbrëmjes. Ata vizituan mbrëmë dhe sot Kosovën pasi që paraprakisht qëndruan në Kroaci, Serbi dhe Mal të Zi.
























