Qeveria Mustafa sipas të gjitha, deri në fund të këtij muaji do të pësojë ndryshime në përbërjen e saj. Burime nga koalicioni qeverisës kanë thënë se më 29 ose 30 mars do të ndodh ky ndryshim, në qeverinë PDK- LDK.
“Partnerët e koalicionit janë pajtuar që qeveria të riformatizohet kah fundi i këtij muaji”, ka thënë ky burim, duke shtuar se ende nuk dihet përfundimisht se mbi bazën e cilit model do të ndodhin këto ndryshime.
Gazeta Blic ka marrë vesh se janë dy opsione sipas të cilave pritet të ndryshoj përbërja e qeverisë.
Njëri opsion, është që të paktën 4 ministra të ndërrohen, derisa opsioni i dytë, i cili ka mbështetje ndërkombëtare, që të ndërrohet thuajse e gjithë përbërja e kabinetit.
“Ndërkombëtarët po insistojnë që të ndërrohet përbërja e shumicës së kabinetit qeveritar, në mënyrë që të ketë një rifillim të qeverisjes Mustafa”, ka thënë ky burim.
Megjithatë, ende liderët e dy partive në koalicion, Isa Mustafa e Kadri Veseli nuk kanë vendosur përfundimisht se cilin model ta përzgjedhin.
“Ka ende kohë se cilën formë ta përzgjedhin, por që si opsion më i lehtë konsiderohet ai i ndërrimit të pak ministrave dhe plotësimin e vendeve vakante që la Hashim Thaçi, me shkuarjen e tij në postin e presidentit. Nëse do të shkohej sipas modelit të propozuar nga ndërkombëtarët, ekziston rreziku që të ketë pakënaqësi të shumta në të dy subjektet politike në koalicion”, tha ky burim.
Gazeta Blic ka marrë vesh se Hajredin Kuçi më nuk do të jetë ministër i Drejtësisë.
“Është çështje e kryer, Kuçi s’do të jetë ministër. Sipas të gjitha gjasave ai do të jetë në postin e zëvendëskryeministrit. Këtë ministri do ta marrë LDK, dhe në këtë post mund të vij ose Haki Demolli, ose Armend Zemaj”, ka thënë ky burim.
Nëse Demolli shkon në Ministrinë e Drejtësisë, Agim Çeku ndërkaq, do ta marrë postin e ministrit të FSK-së.
Enver Hoxhaj, ndërkaq, është i vendosur që përfundimisht ose të bëhet ministër i Jashtëm, ose nuk do të jetë në asnjë post tjetër ekzekutiv.
Ministrat që mund të largohen nga kabineti Mustafa për shkak të dështimeve të shumta janë ai i Arsimit, Arsim Bajrami, dhe ministrja e Tregtisë, Hykmete Bajrami.
Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka thënë se reformimi i qeverisë do të ndodhë në bazë të performancës së ministrave. Ai ka thënë e një gjë e tillë pritet të ndodhë në ditët në vijim.














