Anëtari i Komisionit të Sigurisë akuzon kryeagjentin dhe flet për vrasjen e Santos
Deputeti i Partisë Socialiste, anëtar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Pjerin Ndreu, deklaron se kreu i SHISH-it, Visho Ajazi Lika, ka përgjuar bisedat telefonike mes kreut të PS-së, Edi Rama, dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Kjo gjë, që sipas tij, ka ndodhur kur PS-ja ishte në opozitë. Këtë deklaratë bombë Ndreu e ka lëshuar nw njw intervistw televizive duke shtuar se një gjë e tillë është konstatuar gjatë kontrollit të ushtruar nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë për veprimtarinë e SHISH-it. “Çfarë gjetëm në SHISH? Gjetëm përgjime që nga Kryeministri, Kryetari i Parlamentit e të gjithë. Na u tha se përgjigjet kanë dalë indirekt, gjatë përgjimeve ndaj një të inkriminuari. Por, në fakt, na rezultoi se përgjimi ishte mes Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit”, tha Ndreu. Për deputetin socialist ky përfundim është arritur disa muaj më parë, kur një pjesë e anëtarëve të Komisionit të Sigurisë kanë bërë kontroll në institucionin e drejtuar nga Ajazi. Por ajo që mbetet paksa e çuditshme është përgjigjja e dhënë nga titullari i SHISH-it, i cili, sipas deputetit Ndreu, është justifikuar “se përgjimi i Ramës dhe Metës ishte periferik, pasi në hetim ishte një i inkriminuar”. Deputeti socialist bëri ndër të tjera me dije se Komisioni i Sigurisë ka bërë një raport të detajuar për këtë, por puna ka ngecur. Duke mos dhënë asnjë arsye se pse ka ngecur në këtë pikë nga ana e Komisionit të Sigurisë, Ndreu ka thënë se kjo është detyra që bëjnë deputetët, ndërsa për vijimësinë u mbetet institucioneve të tjera të ndjekin hapat sipas ligjit. “Ne kemi bërë raportin tonë dhe kjo është puna jonë. Kjo mbeti me kaq”, theksoi ai. Nëse këto deklarata të cituara nga anëtari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, nxjerrin fakte të vërteta rreth përgjimit të Ramës dhe Metës, atëherë kjo do të ishte një cenim i sigurisë për dy institucionet kryesore në vend, atë të Kryeministrisë, si dhe Presidencës.
Vrasja e Santos
Përtej lajmit se Shërbimi Informativ Shtetëror ka përgjuar kreun e qeverisë, Edi Rama, dhe atë të Kuvendit, Ilir Meta, në bisedat mes tyre deputeti Ndreu hodhi dyshime edhe mbi veprimtarinë e policisë, duke e lidhur atë me vrasjen e bankierit Artan Santo. Në lidhje me vrasjen e ndodhur rreth dy vjet më parë dhe që ende nuk është zbardhur, deputeti socialist, Pjerin Ndreu, tha se policia e di vrasësin, por është e vështirë gjetja e provave. “Në polici dhe prokuroi ka emër, që ndiqet nga këto struktura, por s’ka prova. S’është e lehtë të arrihet te prova. Mesa kam unë dijeni, është vrasje me pagesë, që e ka paguar dikush, por që ka një emër. Duhet të jeni koshientë se nuk është e lehtë të sigurosh provat, s’është me dëshirë e entuziazëm. Ka pasur ngjarje që janë zbuluar, ngjarje edhe pas 10 vitesh. Media duhet të jetë pak më e kujdesshme, se kam dëgjuar nga media që nëse ndodh një vrasje, direkt thonë se ministri X është ministri më i dobët në histori që nga koha e Ismail Qemalit. Media ka bërë edhe dëme në proceset hetimore, duke artikuluar gjëra që s’kanë lidhje me ngjarjen. Edhe kanë dezinformuar. Zbulimi i krimit nuk bëhet me orë pune”, deklaroi ai. Tashmë mbetet në dorë të Komisionit të Sigurisë se çfarë do të bëjë me raportin e hartuar nga deputetët e këtij komisioni, të cilët, sipas Ndreut, kanë zbuluar fakte tronditëse për privatësinë e Kryeministrit, kryeparlamentarit apo dhe më gjerë. Ndërsa për sulmet e kryera ndaj kryebashkiakut Veliaj, Ndreu u shpreh se nuk është normale që deputeti Kokëdhima të sulmojë atë për shkak të largimit të drejtorit të Ujësjellësit. “Nuk ishte sulm, por një konstatim. S’i bëra akuzë, thjesht konstatova që s’është normale për PS që një deputet të sulmojë kryetarin e Bashkisë, për arsye të paqarta. Kryetari i bashkisë është një personalitet për PS dhe në i kemi dhënë vetëbesimin për të punuar. Nëse ka diçka për të biseduar, ejani ta bisedojmë, por nuk mendojmë që për arsye të paqarta të sulmohet kryetari”, thekson Ndreu.
Aleatët
Rama-Meta takohen në Kuvend
Kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta kanë zhvilluar dje takimin e përjavshëm mes tyre. Takimi është zhvilluar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, në zyrën e kryeparlamentarit Ilir Meta dhe ka zgjatur 60 minuta. Edhe pse nuk ka detaje rreth takimit Rama-Meta, ai mbahet një ditë para seancës parlamentare. Ndërkohë, opozita i ka vendosur disa kushte mazhorancës, përndryshe do të bojkotojë punimet e seancës parlamentare ditën e sotme. Por në të njëjtën kohë, ky takim vjen edhe në një tjetër moment me rëndësi, siç është reforma për drejtësinë, për të cilën Komisioni i Venecias u ka dorëzuar palëve versionin final të draftit.















