Protestuesit në Shkup kanë marrë vendim të qëndrojnë tërë natën para Gjykatës Kushtetuese. Sipas paralajmërimeve, ata do të vendosen tenda, për të qëndruar aty deri në shpalljen e vendimit të kësaj gjykate lidhur me mashtruesit gjate procesit zgjedhor.
Mijëra qytetarë, të organizuar nga shoqëria civile dhe nga LSDM-ja janë mbledhur sot në protestë kundër Gjykatës Kushtetuese, e cila nesër pritet të marrë vendim lidhur me faljen ose jo të mashtruesve gjatë zgjedhjeve.
Protesta ka nisur nga qeveria, ka vazhduar para parlamentit dhe më pas ëhtë përqendruar para Gjykatës Kushtetuese.
Fillimisht, protestuesit janë ndaluar nga kordoni policor dhe nuk janë lejuar t’i afrohen godinës së Gjykatës Kushtetuese, ndërsa proterstuesit kërkojnë të lirohet rruga dhe atyre t’u mundësohet të protestojnë sipas paralajmërimeve për të cilat janë informuar edhe forcat policore.
Por, pak orë më herët, në Shkup i inicua edhe një kundërprotestë, pjesëmarrësit e së cilës kanë ngritur gjithashtu tenda para Gjykatës Kushtetuese.
Një kaos i tillë, mund të rrezikojë të përshkallëzohet edhe në tensione.
Policika ka krijuar tampon zonë në mes protestuesve dhe vendit ku gjenden kontra-protestuesit. Forca të mëdha policore dhe autoblinda po qëndrojnë në mes dy palëve.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili gjendet në mesin e protestuesve, ka thënë se kundër-protesta është “një akt i pafytyrë dhe absurd i atyre që e udhëheqin vendin për të grindur popullin mes veti”, por ka theksuar se opozita dhe qytetarët nuk do të lejojnë përplasje.
“Secili njeri që ka pak vetëdije e di që shoqatat joqeveritare me kohë e caktuan protestën e qetë që nga e enjtja. Të protestojnë edhe një herë me porosinë se Gjykata Kushtetuese duhet t’i mbrojë ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë. Kontra-protesta është një akt i pafytyrë dhe absurd i atyre që e udhëheqin vendin për të grindur popullin njëri me tjetrin. Por, këtë nuk do e lejojmë. Protesta do të jetë e qetë, ndërsa të gjithë shpresojmë që Gjykata do të veprojë drejt”, ka thënë Zaev, transmeton Zhurnal.mk.
















