Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, ka theënë se opozita nuk ka asnjë arsye të sillet në këtë mënyrë dhe ta sulmojë atë apo pozitën në përgjithësi.
“Nuk jam shenjë që kujt t’i teket të gjuajë në mua, brenda apo jashtë kuvendit”, ka thënë ai
“Opozita nuk ka arsye të sillet kështu. Nuk ka arsye të na sulmojë në këtë mënyrë”, ka thënë Mustafa.
Ai është shprehur i indinjuar për shkak të sulmeve ndaj tij dhe ndaj shtëpisë së tij.
“S’dua të më sulmohet shtëpia. Këtë s’e kam përmendur, ia kam lënë policisë. Shtëpia e kryeministrit sulmohet me koktej molotovi dhe heshtet. Nuk është në rregull. Kuvendi duhet të funksionojë dhe do të funksionojë” ka thënë Mustafa.
Në fjalimin e tij, kryeministri i Kosovës ka folur për opozitën dhe për veprimet e saj.
“E ftoj opozitën të marrë pjesë në debat, t’i thotë vërejtet për Asociacionin, Demarkacionin dhe Dialogun. Ata e përfaqësojnë një pjesë të popollit, qytetarët i kanë votuar. Të marrin pjesë në seancë dhe jo të gjuajnë gaz lotsjellës. Kundërshtoni me fakte dhe argumente. Mënyra se si po proteston opozita nuk është mënyrë demokratike”, ka theksuar Mustafa.
Kryeministri Kosovës i ka bërë këto komente në një fjalim rasti, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, pasi deputetët e opozitës e kanë bllokuar foltoren e Kuvendit dhe njëri nga deputetët e opozitës e ka gjuajtur me ujë Mustafën.
Seanca e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar punimet pa praninë e opozitës. Në seancë po marrin pjesë vetëm 70 deputetë.















