Londra nuk do të marrë pjesë në asnjë sistem azili të përbashkët të Bashkimit Evropian, paralajmëroi dje kryeministri britanik, David Cameron, në një moment që krerët e BE-së kërkojnë një zgjidhje për krizën e migrantëve.
“Britania e Madhe nuk do t’i bashkohet asnjë procesi të përbashkët azili në Evropë, ne kemi një klauzolë përjashtuese të fortë si shkëmb”, shkruan Cameron në profilin e tij në Twitter.
Kjo deklaratë e shefit të qeverisë britanike vjen pas informacionesh se Brukseli mund të propozojë centralizimin e kërkesave për azil në BE, në kuadër të një rishikimi të përgjithshme të politikës së azilit që mund të shpallet javën e ardhshme.
Krerët e BE-së u përpoqën dje, gjatë një mbledhje të jashtëzakonshme me Turqinë në Bruksel, të gjejnë një zgjidhje ndaj krizës që ka sjellë 1,2 milionë migrantë në BE vitin e kaluar.
Por vendimi është shtyrë në mbledhjen e ardhshme evropiane, të parashikuar më 17 dhe 18 mars në Bruksel.















