Mbi dokumentarin “Misteri i vdekjes së Presidentit”
Faton ABDULLAHU
Dokumentari “Misteri i vdekjes së Presidentit” është determitë e mendësisë të pranishme gjithnjë e më shumë tek ne e cila prodhon gazetari të atij lloji për të cilën më shumë se sa e vërteta si synim, është ngjallja dhe ekzagjerimi i dyshimit dhe kërshërisë si tundim e mandej ky tundim për qëllim final e ka ngritjen e pluhurit si reklamë dhe shtimin e klikimeve si premisë ekzistence. Sa më i koklavitur dyshimi, sa më konfuz spekulimi, aq më i fortë bëhet tundimi, peshterisja e mandej krejt kjo determinohet suksesshëm në reklamë, gjurullti pa pare dhe klikime pa ndal.
Asgjë që u than në këtë dokumentar nuk u dokumentua për ta shtuar dyshimin. Jo që nuk pati ndonjë argument që do ta forconte dyshimin edhe ashtu minor për një kinse helmim të mundshëm që ka shkaktuar vdekjen e Presidentit Rugova por nuk pati as indice të vetme. Thjesht dokumentari u bazua në disa analistë elteme që e kanë “guximin” e pafiltruar me logjikë dhe pragmatizëm dhe të cilët mandej pa argument të vetëm, kalkulojnë mendërisht diçka të paqenë dhe nxjerrin përfundime ‘për hava’. Ky dokumentar është i asaj subkulture dyshuese dhe spekulative, jo vetëm i ngjashëm por krejt i njëjtë, me atë mentalitet i cili ka prodhuar pallavra për muhabete pas darke si ajo se Millosheviqi është gjallë e shëndosh dhe po e bën kokrrën e sefasë diku në Rusi, se Adolf Hitleri ka vdekur vetëm para disa viteve në Argjentinë ku ka jetua gjatë dhe ka bërë një jetë të rehatshme, se Bin Ladenin nuk e kanë vra por ai punon si këshilltar i lartë politik në Pentagon, se Brus Li nuk ka vdekur ende por jeton dhe ushtron vazhdimisht i vetëm diku thellë në malet e Kinës e shumë të tjera të ngjashme.
Dyshime të tilla nuk do të ndalen kurrë. Gjithmonë gjendet ndonjë arsye, interes, qëllim që i mbanë gjallë dhe i ushqen të tilla trillime. Në rastin konkret disa mendojnë se është mirë për ta mbajtur gjallë dhe ushqyer trillimin se Presidenti Rugova është helmuar, sepse kjo do të jetë edhe një akuzë më shumë edhe një dëshmi e re për ta akuzuar ShIK-un për të cilën disa aludojnë se e ka kryer helmimin. Disa mendojnë se sforcimi i dyshimit se këtë e kanë bërë disa kolegë të Presidentit Rugova shkon në dëm të unitetit të partisë të cilës i ka takuar Presidenti, disa shpresojnë se me këtë do ta ushqejnë antiamerikanizmin, përndryshe në rritje tek ne, nëse aludojnë se për qëllime të caktuara këtë e kanë bërë vetë amerikanët e të tjera e të tjera trillime të pafund të një bote spekulative që mbjell farë dyshimi e vaditë pikë pikë me konfuzitet, për të përfituar më pas diçka, çfarëdo qoftë dhe kurdo qoftë, varësisht prej rastit. Gazetarisë kosovare nuk i duhet diçka e tillë, nuk i duhet një dokumentar i tillë, më së paku gazetarisë hulumtuese kosovare i duhet diçka e tillë.















