Në Serbi do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme më 24 prill. Presidenti i Republikës, Tomislav Nikoliçi, miratoi shpërndarjen e Parlamentit, pas vendimit të qeverisë dhe kryeministrit Aleksandër Vuçiç. Këto zgjedhje janë mjaft të rëndësishme për popullin serb, i cili do të përcaktojë nëse dëshiron që të ndjekë rrugën drejt Bashkimit Europian, apo Rusisë. “Ndoshta për qytetarët është e vështirë, por ne kërkojmë një mandat të ri për të bërë reformat dhe duhet të dimë se jemi duke punuar drejt”, tha Nikoliçi. Ndërkohë që kryeministri i vendit u shpreh se qëllimi i këtij vendimi është që të përcaktohet nëse populli e do rrugën drejt Bashkimit Europian. Aktualisht, pozitat e Vuçiçit dhe të aleatit të tij Nikoliç janë shumë të mira. Opozita aktualisht ka pak mbështetës dhe është e ndarë në parti të vogla. Dikur ish-ministër i Slobodan Milosheviçit, tani Vuçiçi, ka ndryshuar kurs dhe i ka forcuar së tepërmi marrëdhëniet me rajonin. Politika e tij është pro hyrjes në BE, ndërkohë që edhe bisedimet me Kosovën do të intensifikohen më shumë. Më 19 shkurtin e shkuar, Serbia nënshkroi një marrëveshje me NATO-n, me qëllim rritjen e bashkëpunimit. Së fundmi, është përfolur mundësia e futjes së saj në Aleancën e Atlantikut Verior. Por kjo ka sjellë reagim të ashpër dhe protesta nga ana e grupeve ekstremiste të djathta, të cilat kërkojnë që vendi të mos braktisë aleatin e saj historik, Rusinë. Një çështje tjetër, që do të përcaktohet në mandatin e ardhshëm është edhe e ardhmja e bazës ushtarake ruse në qytetin serb të Nishit. Bashkimi Europian së fundmi ka shpeshtuar kërkesat për largimin e forcave ruse, duke e parë këtë gjë si një kërcënim. Këto forca ushtarake janë të kamufluara si fondacione humanitare. Nga ana tjetër, Rusia kërkon që të ketë një pikë të rëndësishme ku të vendosë trupat e saj, si një mënyrë për të bërë presion ndaj unionit. Akuzave se Serbia po i largohet NATO-s, qeveria serbe i është përgjigjur se ajo është neutrale dhe nuk ka për qëllim që të mbajë anë. Zyrtarët thanë se vlerësojnë si BE-në, por gjithashtu kërkojnë që të mbajnë marrëdhënie shumë të mira me aleatin historik, Rusinë. Një pakënaqësi tjetër e opozitës ka qenë qasja ndaj krizës së emigrantëve. Për partitë e ekstremit të djathtë duhet që qeveria të zbatonte politika më të ashpra ndaj refugjatëve e të mos t’i lejonte ata të kalonin apo të qëndronin në territorin serb. Serbia është vend tranzit për emigrantët e mendohet se deri tani aty kanë kaluar mbi 1 milion persona. Qyteti shqiptar i Preshevës në territorin serb, është një pikë-ndalesë e emigrantëve, të cilët u drejtohen vendeve të Europës Perëndimore, e veçanërisht Gjermanisë. Aktualisht, Serbia ka vendosur që të forcojë kontrollet në kufi, pas samitit mes vendeve të Ballkanit dhe Austrisë në Vjenë.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...














