Deputeti i PS-së për Qarkun e Lezhës, Eduart Ndocaj, i shpallur si kandidat për kreun e PS-së, ka kontestuar mënyrën se si u veprua dhe u prit deputeti Ben Blushi në Elbasan. Pas sherrit që ndodhi në takimin me socialistët e Elbasanit, Ndocaj deklaron se “Rama po gabon rëndë jo vetëm në qeverisje, por edhe në drejtimin e Partisë. Gabimi i fundit është edhe më i rëndë se i pari duke pasur parasysh se cilësia e lidershipit të Partisë është shëmbëlltyra e qeverisjes. Në drejtimin e qeverisjes, Rama po gabon për faktin e mungesës së kurajës për të bërë ndryshimet në qeveri që do t’i sillnin një impuls të ri cilësisë dhe formatit. Është vonë, tashmë dhe mandati po mbaron. Disa ndryshime duhet të ishin bërë në fund të vitit të parë. Po ashtu gabimin e rëndë po e bën me çështjet e Partisë. Ai po vret frymën demokratike, e cila e solli atë vetë në krye të PS-së. Kjo është shëmbëlltyra më keqe e një lideri si Rama që për nga natyra shquhet për kërkesë të lirisë absolute, por siç duket, dashka vetëm lirinë vetjake, duke mohuar atë kolektive”, reagon Ndocaj në Facebook. Ndërsa sa i përket ngjarjes së ndodhur ndaj deputetit Blushi, ai shton se të kujton periudhën e zezë të Hoxhës. “Vlerat intelektuale të Blushit nuk mund t’i vendosë askush në dyshim dhe vetëm për këto vlera, ai nuk duhet dhe nuk mund të censurohet. Në media pashë listën e personave që e kishin fishkëllyer, ajo që vura re ishte fakti, se të gjithë ishin të punësuar, si dhe faktin se nuk mungonin as lidhje farefisnore mes tyre. Kjo më çon përsëri në përfundimin tim të trishtuar, të përsëritur disa herë, se PS edhe në rrethe është e marrë peng nga njerëzit që nuk ju intereson politikisht Partia, e vjelin atë vetëm për interesa të ngushta personale. Kapja e ka kthyer Partinë në një rreth vicioz për veten dhe të urryer për bazën që është tkurrur shumë për shkak të braktisjes, autoritarizmit dhe personave me veshje pushteti që të shajnë, të kërcënojnë dhe të sfidojnë hapur, duke mos përdorur mjete demokratike, por prej rrugaçërie. Dikush duhet të ketë guximin ta ndalojë Ramën, ta bëj të reflektojë para se të jetë vonë. Sigurisht nuk mjafton zëri im dhe i Blushit”, thekson Ndocaj. Sipas tij, askush s’ka guximin në Kryesi t’ia thotë një gjë të tillë. “Dikush këtë e bën për servilizëm personal, sepse është rastësisht aty dhe mbijetesën politike e lidh me kryetarllëkun e Ramës e disa të tjerë janë të pllakosur nga frika.
Dëmi që po i bën Rama me arrogantizëm dhe autoritarizëm PS-së është i madh”, thekson kauboji i PS-së.
“Si mund të presësh nga Rama reformën në drejtësi, kur nuk zbaton statutin”
Patozi: Sulmi ndaj Blushit, asnjë
parti nuk mund t’i ndalojë zgjedhjet
Deputeti i PD-së, Astrit Patozi, nuk ka ngurruar që të komentojë sulmet e bëra ndaj Blushit në takimin e Elbasanit. Në një koment të tijin në Facebook, Patozi thekson se “unë nuk mendoj se Ben Blushi e beson edhe vetë se mund të fitojë zgjedhjet në PS, edhe sikur Edi Rama të ndryshojë mendje dhe ta lejojë garën. Por kjo nuk ka asnjë rëndësi për mua. Problemi nuk është kurrë tek ai që i kërkon, por tek ai që i ndalon zgjedhjet”. “A mund të presësh që ta trajtojë me respekt opozitën, si kundërshtare politike, dikush që i lëshon të gjithë lukuninë e ujqërve në shpinë edhe pakicës në partinë e vet? Dhe çfarë është më kryesorja, a mund të presësh shtet ligjor, reforma apo drejtësi, nga një parti, e cila, e vëmë në rresht nga një njeri i vetëm, hedh në kosh me përçmim kushtetutën e vet, apo librin e rregullave, që është statuti? Janë këto arsyet e vetme që më shtyjnë të flas për një çështje, që në pamje të parë duket sikur nuk më përket”, shkruan Patozi. Më tej ai shton se “partitë tona janë si enët komunikuese. Ndryshimi i nivelit të njërës, transmetohet menjëherë tek tjetra. Ndaj edhe nuk duhet të jesh domosdoshmërisht socialist për të pasur ndjeshmëri nga zhvillimet dramatike në partinë e Edi Ramës. Sot në Shqipëri, partitë politike po u imponohen përdhunisht shoqërisë dhe unë mendoj se ka ardhur koha që shoqëria t’u imponohet partive politike. Është e vetmja mënyrë për ta ndalur marshimin e së keqes”.
Ish-deputeti
Bello: Mjaftistët kanë marrë kontrollin e PS
Ish-deputeti i PS-së, Marko Bello, një nga firmëtarët e kërkesës drejtuar gjykatës së socialistëve për interpretimin e statutit ka ironizuar qëndrimet e mbajtura nga kryebashkiaku Veliaj, i cili dy ditë më parë u shpreh se Ramës po i kërkohet të lërë punët dhe të bëjë zgjedhjet në parti. “Mjaftistët që kanë marrë kontrollin e Partisë Socialiste përpiqen të justifikojnë kryetarin Rama, duke e konsideruar qesharak debatin mbi lejimin e garës brenda partisë. Kryeministri, thonë këta, ka shumë punë për të bërë Shqipërinë, ndaj do ishte e pakuptimtë t’i kërkohej atij të humbasë kohë me gara zgjedhjesh në parti. Po mirë more të uruar mjaftistë, po a nuk po ‘humb’ goxha kohë kryetari duke shpërndarë tesera për anëtarët e rinj? Nëse ju shpërndarjen e certifikatave të legalizimeve dhe të teserave të anëtarësisë në PS e konsideroni kohë të humbur, atëherë ju nuk paskeni kuptuar thelbin e reformave, për të cilat po sfilitet kryetari”, deklaron Bello.














