Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ka thënë se filmi “SHOK” ka hapur rrugë në botë.
“Jemi të kënaqur që filmi ‘SHOK’ i ka hapur rrugë Kosovës, përveç se film i mirë ka sjellë një ngjarje të dhimbshme që e kanë përjetuar fëmijët dhe populli në Kosovë”, ka thënë Zharku, në një konferencë për media, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, transmeton Koha.net.
Ai më tej ka thënë se bota tash e njeh Kosovës edhe nëpërmes filmave dhe se kritikët e kanë vlerësuar shumë filmin.
“Filmi që i pasqyron më së miri vitet e ’90-ta në Kosovë”, ka thënë më tej Zharku, duke shtuar se kritika ndërkombëtare është çuditur që filmi “SHOK” nuk e ka fituar çmimin Oscar.
Protagonistët e filmit “Shok”, Andi Bajgora dhe Lum Veseli, kanë rrëfyer përjetimet e tyre në ceremoninë e madhe të ndarjes së çmimeve “Oscar”.
“Ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e mirë. Ecja në tapetin e kuq ishte e jashtëzakonshme, takimi me yjet e botës ishte e jashtëzakonshme”, ka thënë Lumi.
“Edhe për mua ishte diçka shumë e mirë. Ishim të parët që dolëm nga Kosova atje ishte një gjë e mirë që dolëm atje që përfaqësuam shqiptarët”, ka shtuar Andi Bajgora.
Filmi “Shok” ishte i nominuar për çmimin Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë i shkurtër”, por këtë çmim e fitoi filmi irlandez “Stutterer”.















