Avokatët e Shqipërisë nisën dje bojkotin treditor të gjyqeve, në shenjë proteste për vendimin e qeverisë që rriti pagesat e sigurimeve shoqërore për ta.
Në ditën e parë të bojkotit, ata paralajmëruan përshkallë- zim të protestës, nëse qeveria nuk reflekton mbi kërkesën e tyre. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, të pranishmit propozuan edhe bojkot deri në 6 muaj të gjyqeve, apo edhe braktisje të seancave gjyqësore të masave të sigurimit, çka, sipas tyre, do të krijonte “tronditje” për sistemin.

Në mbledhjen e djeshme të DHKA, ishin të pranishëm anëtarët e këshillit drejtues të këtij organizmi, si edhe kryetarët e Dhomave të Avokatisë në rrethe. “Përmes këtij bojkoti ne mbrojmë interesat e kolegëve të rinj dhe të rretheve të vogla, përfitimi i të cilëve është më pak se taksa që u kërkohet të paguajnë në fund të muajit”, tha kreu i Dhomës Kombëtare, Maksi Haxhia.
Sipas tij, pretendimet e avokatëve nuk janë marrë parasysh, edhe pse përfaqësuesit e tyre kanë paraqitur kundërshtitë në Ministrinë e Financave dhe në Komisionin e Ligjeve, që në hapat e parë të nismës ligjore për ndryshim të ligjit. Sipas tij, institucionet janë treguar indiferente. Ai sqaroi se ligji ka vendosur një fashë, që detyron avokatët me 0-3 vjet eksperiencë të paguajnë kontribut 186 mijë lekë të vjetër në muaj, 3-6 vjet eksperiencë të paguajnë 226 mijë lekë të vjetër dhe ata që kanë më shumë se 6 vjet eksperiencë të paguajnë 286 mijë lekë të vjetër në muaj.
“Kjo është diskriminuese për kolegët tanë në rrethe të vogla, që në fund të muajit marrin apo nuk marrin 100 mijë lekë të vjetër. Nuk po përmendim këtu edhe detyrime të tjera financiare që ata mund të kenë”, tha Haxhia.
KUSHTETUESJA
Kreu i Dhomës së Avokatisë bëri me dije një betejë paralele me bojkotin e gjyqeve, një ankim në Gjykatën Kushtetuese. Në kërkesën e depozituar në Kushtetuese, Dhoma Kombëtare e Avokatisë kërkon shpalljen si antikushtetues të ligjit, që rriti masën e kontributeve të detyrueshme për profesionet e lira.
PROTESTAT
Përfaqësues të Dhomave të Avokatisë në rrethe paraqitën propozime të ndryshme në lidhje me përshkallëzimin e protestës së tyre, si dhe për problematika të tjera të avokatëve. “Ne mbështesim bojkotin. Nga ana tjetër, në Gjykatën e Vlorës ka shkuar deri në 1 mijë lekë të rinj pagesa e një seance për avokatët kryesisht. Këto tarifa duhet të ngrihen. Ata duhet të kenë një përfitim më dinjitoz”, tha Kastriot Brahimuça, kreu i Dhomës së Vlorës.
Një përfaqësues i Dhomës së Durrësit propozoi që të bojkotoheshin edhe seancat gjyqësore të caktimit të masave të sigurimit. “Kjo punë duhet të vijë duke u përshkallëzuar. Të shkojmë deri te bojkoti i seancave të masës së sigurimit”. Në të njëjtën linjë një tjetër avokat i pranishëm përmendi shembullin grek, ku, sipas tij, për të njëjtën arsye avokatët kanë bojkotuar gjyqet për 1 muaj.
Një propozim edhe më i ashpër ishte ai i avokatit Sajmir Vishaj, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Avokatëve Penalistë. “Ne duhet të mandatojmë një përfaqësi për një takim urgjent me ministrin e Drejtësisë. Duhet të përshkallëzojmë bojkotin. Nëse nuk na presin në Ministrinë e Drejtësisë, të bllokojmë derën e Kryeministrisë”, tha avokati Vishaj. Ndërsa avokati Ferdinand Ndoja u shpreh se gjatë betejës në Kushtetuese, DHKA duhet të kërkojë edhe pezullimin e ligjit.














