Pandi Majko ka mbetur nga të vetmit jo armiq brenda autobuzit të PS-së, i cili vazhdon të thyejë tabunë dhe t’i flasë shoferit. Por për këtë ka zgjedhur një rrugë të tërthortë: ta sfidojë Ramën përmes batutave dhe humorit.
Sot u bë lajm i ditës biseda e ish kryeministrin me Anetën, mamanë e Ramës, e cila i kishte thënë Majkos se po ta dinte që familja socialiste do ta përmirësonte aq shumë sjelljen e djalit të saj, ajo do ta kish antarësuar atë që 14 vjeç në PS.
Fabula ishte e gjetur. Ajo tregonte njëkohësisht edhe metamorfozën rrënjësore të Ramës dhe lidhjen e tij gati speciale me të ëmën e tij, e cila ende kujdeset si për një adoleshent harrakat, por edhe profilin e vetë Majkos si socialist më tipik, në krahasim me kryetarin aktual.
Dhe ky episod nuk përbën një rast të shkëputur.
Pandi Majko, ka zgjedhur një mënyrë komunikimi prej shejtan budallai për t’i thënë Edi Ramës gjërat më të rënda, ato që atij nuk ia thotë më tani askush tjetër, pa u shpallur armik.
Eshtë tani më lapidare batuta e Majkos që të dy e kanë përmendur shumë herë se “nuk mund të vazhdosh të jesh kryetar i PS-së me çorape të kuqe dhe pa krijuar familje”. Nuk kaloi shumë kohë dhe Rama hoqi dorë nga çorapet me ngjyra dhe nga beqaria. Majko e ka treguar vetë në një intervistë për “Shqiptarja.com” këtë kërkesë që i bëri kryetarit të sapo zgjedhur, pasi ky i fundit u tall me thinjat e tij në një festë të përvjetorit të PS-së.
“A keni një kundër batutë për kryetarin e partisë, i cili u mor pak me ju, tha të dolën thinjat në parti…”, e pyet gazetarja. Dhe Majko përgjigjet:
“Këto janë të natyrshme. I thashë martohu… ai u martua… Do të vazhdojmë me batuta. Është e natyrshme , forma e një dialogu me nota humori e mirësie”.
Por batutat nuk mbarojnë këtu. Në kulm të sherrit me Blushin, kur të dy po dorëzonin tesra të reja për anëtarë partie, Majko i kujtoi kryeministrit “kokëderr” se ai i kish dhënë teserën edhe Blushit edhe Koços. “Problemi është që unë kam një çikë dorë të keqe, se i kam dhënë teserën Koço Kokëdhimës, është kontravers ai. Ia kam dhënë edhe Ben Blushit. Kujdes tani, je mes dy alternativave, zgjidh nga do shkosh“, i tha Majko një të riu që mori teserën. Dhe Rama iu përgjigj flakë për flakë
“Pandi të dha dy alternativa, por ti mbahu fort mbas Pandit se historia ka treguar që Pandi gjithmonë i mbijeton çdo dallge. Mua që rri me Pandin më ka dalë më mirë sesa ata që shkojnë sa andej- këndej“, tha Rama.
Por në një takim tjetër, gjatë fushatës elektorale, kur po shihnin finale e ligës së kampionëve dhe Majko u shfaq si tifoz i Barcelonës, Rama e thumboi se ai bëhet gjithnjë me më të fortin. “Pandi sheh futboll vetëm kur është finalja dhe gjithmonë zgjedh më të fortin (Barcelonën)”.
Po në raste të tjera Majko i ka treguar se jo gjithnjë kjo është e vërtetë.
Me gjysëm batute, në intervistën e fundit të Top Story ai përmendi se për ministër ishte djegur nga deklarata kundër koalicionit të 1 prillit dhe Ilir Metës.
Por Majko me batutat e tij është treguar shpesh herë i hidhur edhe kundër aksionit të qeverisë. Do të mbahet mend gjatë fjala e tij në Kuvend në kulm të aksionit të prishjeve dhe gjobave: “Ne nuk jemi sherifët e pushtetit por mbajtësit e tij”. Do të kujtohen gjithashtu batutat kundër Erion Velisë në kulm të fushatës elektorale. Duke e ditur mirë se një pjesë e hierarkëve të PS-së së vjetër nuk e donin Erionin, Majko zgjodhi mënyrën e tij për t’u distancuar nga ai: “Edi po e trajton Erin si ndërtim pa leje”, tha në një takim. Ndërsa në një tjetër përmendi fabulën e një fashtari nga Sauku që sipas tij paskësh recituar vargjet: “Kam fiq te shpia du me u bo si Erjon Velija”.
Këtë rrugë pra zgjodhi Majko për t’u tallur me propagandën e Erion Velisë gjatë fushatës. Kështu ka vepruar ai për të ironizuar koalicionin shpirtshitës me LSI-në, veprimet arbitrare të qeverisë dhe kryeministrin kokëderr.
Po si shpjegohet një sjellje e tillë?
Në thelb Pandi Majko nuk ka ndonjë respekt për Ramën. Ai e ka parë t’i serviloset si kryeministër dhe e ka parë t’i lutet që t’i shkruajë fjalimet e tij. Ai e ka parë gjithashtu që Rama është një nga njerëzit e parë që të kthen shpinën pasi bie nga froni. Në thelb, socialisti tradicional nuk e honeps dot arrivistin cinik me çorape me ngjyra. Por ai e di që dalëngadalë Rama po e kthen partinë në garnizon. Së sa më shumë kohë kalon, aq më e vështirë është ta kundërshtosh atë brenda PS. Dhe duke mos dashur të ketë fatin e Blushit (si gjithmonë preferon të presë shansin e tij sesa të luftojë për të) ai ka marrë një vendim. As mos digjet duke kundërshtuar Ramën dhe as mos identifikohet me të duke heshtur. Prandaj ka zgjedhur rrugën e mesme të komunikimit me batuta plot helm që shprehin mosdakordësi, por jo luftë.
Nga ana e tij edhe Rama nuk është se nuk e pëlqen këtë luftë të ftohtë. Atij këto ngacmime nuk i prishin punë. Kaq liri ai e toleron ende. Aq më shumë që shpesh, sa i jepet rasti, ai mundohet të shigjetojë Majkon me romuzet për thinjat e shumta duke e paraqitur si një socialist tashmë të vjetëruar. (shih videon poshte)
“Unë vetë dhe për pak ditë kaloj gjysmën e shekullit. Gjysmës së shekullit i afrohet edhe Pandi, megjithëse ka pothuajse çerek shekulli që duket sikur e ka mbushur gjysmën e shekullit”, tha Rama në fillim të fjalës së tij, në 24 vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste.
Pra të dy vazhdojnë lojën e batutave, duke ruajtur sa munden profilin e vet, pa i prishur punë njëri- tjetrit.















