Largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian do të ulte numrin e vendeve të punës dhe për pasojë do të vendoste në rrezik të madh ekonominë e saj.
Ky është parashikimi, njëkohësisht edhe shqetësimi i madh i liderëve të kompanive më të mëdha të biznesit në Britani.
Krerët e kompanive më prestigjioze, përfshirë Vodafone apo Marks & Spencer kanë argumentuar të gjitha pasojat e “brexit” në një letër të publikuar në “Times”, duke parashikuar gjithashtu edhe reduktim të investimeve në vend.
Letra e cila mbështet qëndrimin e Britanisë në Bashkimin Europian është nënshkruar nga 198 drejtues të bizneseve në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
“Biznesi ka nevojë për qasje të pakufizuar në tregun evropian prej 500 milionë njerëz në mënyrë që të vazhdojë të rritet, të rriten investimet dhe të hapen vendet e reja të punës. Britania do të jetë më e fortë dhe më e sigurtë nëse qëndron si anëtare e Bashkimit Europian”, shkruhet në letrën e biznesit.
Ndërkohë nga ana tjetër, drejtuesit e fushatës kundër, ose që janë pro një largimi të Britanisë nga Bashkimi Europian deklarojnë se Cameron nuk ka përvojë në fushën e biznesit dhe se sipas tyre ka të tjerë faktorë që përcaktojë suksesin e biznesit dhe investimeve në vend.
Sipas tyre “brexit” do të ulë barrën e panevojshme rregullatore dhe koston për biznesin, të cilat mund të përdoren për të investuar në më shumë vende pune.
Ndërkohë, figura të larta nga të dyja anët e debatit do të vazhdojë fushatën në prag të referendumit më 23 qershor.
Në ditë më parë kryeministri Cameron mbrojti qëndrimin e vendit të tij në BE, me argumentin se tregu do të zgjerohet në këtë rast.
Megjithatë Cameron ka një zë shumë të fortë kundër tij, siç është ai i kreut të Bashkisë së Londrës, Boris Johnson.














